Çështja e presidentit, PDK-ja dhe LDK-ja të hapura për bisedime me VV-në
Dy partitë më të mëdha opozitare nuk do t`i ikin përgjegjësisë për çështjen e presidentit.
Liderët e këtyre partive janë shprehur të hapur për të diskutuar me partinë në pushtet rreth zgjedhjes së presidentit të ri.
Megjithatë, ata kanë thënë se përgjegjësia kryesore për këtë çështje i takon partisë së Albin Kurtit.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pasi triumfoi ndaj votëbesimit partiak, ka thënë se duhet diskutime për këtë çështje.
"Jo nuk kemi diskutime të tilla, kemi diskutuar se na duhet komunikim politik brenda spektrit politik. Kur flasim për marrëveshje politike, nuk e kemi fjalën për pazare politike, kemi fjalën që duhet të ulën partitë që t’i bëjnë numrat për një president të ardhshëm të Kosovës. Pra jam i gatshëm të flas me gjithë spektrin politik, për t’i dhënë zgjidhje çështjes shumë të rëndësishme të presidentit i cili do të jetë konsensual dhe do të përfaqësojë unitetin kombëtar të Kosovës.”, ka thënë ai, duke shprehur i gatshme për një marrëveshje politike për këtë temë.
“Pra, kur themi marrëveshje politike, mos e merrni si të rëndë të gabueshme është gjëja më bazike që demokracitë e bëjnë, duhet të ulemi që të bëjmë një shumicë, përndryshe si do të bëhet ajo shumicë. LDK është e përkushtuar që të gjejë konsnesus, këtë duhet ta them, dhe jemi të gatshëm ta bëjmë këtë gjë”, ka thënë ai.
Edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se PDK-ja është e gatshme të diskutojë me Vetëvendosjen për temën e presidentit.
Ai ka bërë me dije se përgjegjësia kryesore mbetet te partia e parë.
“Nuk ka kurgjo të keqe me folë, por përgjegjësia për me i ba votat i takon partisë së parë. Presidenti Rugova herën e parë e ka dhënë postin e kryeministrit, ku ka qenë zotëri Rexhepi, dhe vetë ka qenë president. Herën e dytë ia ka dhënë zotit Haradinaj, dhe vetë ka qenë president. Herën e tretë është zhgjedhur zoti Sejdiu me përkrahje të PDK-së, dhe kryeministër ka qenë zoti Thaçi. Mirëpo, PDK i ka pasur shumicën, por e ka marrë kryeministrin dhe e ka zgjedhur presidentin me marrëveshje politike”, ka thënë Hamza.
Në anën tjetër, edhe kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka paralajmëruar bisedime me opozitën për disa çështje.
Para disa dite, ka thënë se është i gatshëm të të hapim një kapitull të ri raportesh me opozitën.
“Unë besoj që në raport me opozitën, te marrëveshjet ndërkombëtare, por edhe te konstituimi i Kuvendit, do të shohim se a po ia fillojmë një kapitull të ri që dallon nga ai i vitit 2025 që sapo e kaluam. Ne duhet të shohim në Kuvend se a ka atmosferë për një raport të ri Qeveri–Opozitë. Unë nuk mund ta them këtë paraprakisht, por pa dyshim muaji shkurt është muaji që do të na tregojë a do të mund të hapim një kapitull të ri të raporteve tona”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.
“Populli na ka dhënë një mbështetje shumë të madhe, e cila është përgjegjësi e lartë për ne për formimin e qeverisë; nuk do të kemi asnjë problem, por për dy të tretat e votave që nevojiten në Kuvend, prej marrëveshjeve ndërkombëtare deri te zgjedhja e presidentes apo presidentit, ne kemi nevojë për bashkëpunim me opozitën. Nga ana jonë, gatishmëria dhe interesimi ekziston. Në muajin shkurt do të shohim se a ka gatishmëri dhe interesim nga opozita”, ka thënë Kurti.