Çështja e presidentit, Haradinaj i bindur se Kurti dëshiron zgjedhje të reja
Tashmë ka mbetur më pak se një javë deri në skadimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës së Kosovës. Pavarësisht takimeve të tri partive më të mëdha në legjislaturën e dhjetë, nuk ka dakordim për një emër. Ndërkohë, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, veprimet e kryeministrit Albin Kurti po i sheh si mjet për të çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Në një paraqitje të tij në Debat Plus, Haradinaj ka thënë se Kurti po “i luan lojën” presidentes Vjosa Osmani, e cila e ka bërë të qartë se synon edhe një mandat të dytë.
“Krejt çka i ka marrë prej Vjosës, fare s’po i investon për Vjosën. Dhe nëse e qet ka me qit veç me na çu në zgjedhje. Kurti është ka don me na çu në zgjedhje, dhe në zgjedhje po na çon. Dhe i kisha thënë presidentes fare mos i mbledh nënshkrimet, se është veç met të vonu, poshtru, me të qit në peshore. Kurti është ka ia luan lojën asaj, sepse po i dhimbet çka do koftë që e ka mbërri e sukses 51 për qind me ndihëm e Vjosës, po i dhimbset me ia kthy edhe qoftë një për qind. S’po ka mëshirë politike ndaj askujt, sepse po do një kontroll të plotë, ai dhe vetëm ai” – ka thënë ai.
Theksojmë se, pas takimeve me liderët e opozitës, para mediave Kurti foli për ato që ai i sheh si dy skenarë të mundshëm.
“Ose duhet ta gjejmë një emër të përveçëm që na garanton të jenë së paku 2/3 e deputetëve që qëndrojnë në sallë, duke përzgjedhur një emër të përveçëm në fletëvotim që e hedhin në kuti më së largu më 4 mars, ose është tjetra: që subjektet politike të merren vesh me njëra-tjetrën për rrugën përpara”, tha Kurti.
Nga PDK dhe LDK, të dy liderët thanë se gjatë takimit me Kurtin nuk pati emra në tryezë.
Gjatë një interviste në “Debat Plus”, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha se partia e tij nuk po kërkon favore politike në këmbim të votës.
“I jam përgjigjur ftesës së Kurtit dhe kam thënë që PDK-ja gjithmonë ka vepruar në atë mënyrë që nuk kam vendosur vija të kuqe. Unë dje nuk kam shkuar të bëj marrëveshje politike për të kërkuar që ne të kemi hise apo të përfitojmë diçka politikisht, apo të bëjmë ndonjë pazar politik. Në takim nuk ka pasur prezantim të ndonjë emri. Asnjë emër nuk është përmendur. Kemi diskutuar për parime, rregulla”, ka deklaruar kryetari i PDK-së.
Një qëndrim të tillë e ka dhënë edhe Abdixhiku, duke thënë se u fol për “shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”
“Nuk përmendëm emra; folëm për parime, folëm për shtyllat potenciale të zgjidhjes së çështjes jetike të zgjedhjes së Presidentit dhe shmangies së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, deklaroi ai.
Ndërkohë, nga AAK-ja, Ardian Gjini quajti “cinizëm” gjithë këtë situatë.
“Te çështja e Presidentit situata është goxha interesante. Mund të them që ka shumë cinizëm. Është seriozisht cinike të fitosh 51 për qind të votave, të shkosh në Parlament dhe të thuash: ‘Unë s’kam kandidat për President – gjejeni kandidatin nëse doni ju’”, tha ai.
“Gjasat janë minimale që zoti Kurti ta kandidojë Vjosa Osmanin edhe njëherë për Presidente. Tash mund të thuhet se këto gjasa pothuajse nuk ekzistojnë. Çarja ka ndodhur për shkak se çdokush ndihet i fyer në këto rrethana.
Nëse Albin Kurti del në konferencë për shtyp dhe thotë se ne nuk kemi kandidat për President, normalisht që Vjosa Osmani ndihet e fyer deri diku, për shkak se nisjen e kanë pasur bashkë dhe shumicën e parë e kanë krijuar bashkë”, tha ai.