“Cenoi sigurinë kombëtare”: Pse Mimoza Kusari-Lila duhet të intervistohet nga Prokuroria? - NACIONALE

“Cenoi sigurinë kombëtare”: Pse Mimoza Kusari-Lila duhet të intervistohet nga Prokuroria?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Biseda telefonike e shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, me kriminelin serb Milan Radoiçiq, ka shtuar kritikat ndaj deputetes së partisë në pushtet.

Biseda që dëshmohet në një audio-incizim të publikuar nga gazeta Nacionale e ka implikua Kusari-Lilën në çështje shumë të ndjeshme.

Njohësit e çështjeve të sigurisë kanë bërë me dije se biseda në fjalë ka cenuar sigurinë kombëtarë. Kjo për faktin se Kusari-Lila ka biseduar me Radoiçiqin pasi ky i fundit dyshohej për krime nga institucionet e Kosovës dhe pasi i njëjti ishte futur në Listën e zezë të ShBA-së.

Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka treguar pse biseda në fjalë ka cenuar sigurinë kombëtare.

‘Raportimi’ tek Radoiçiq është cenim i sigurisë kombëtare. Më 23 nëntor 2018, banesa e Radoiçiqit ishte bastisur për herë të parë nga Policia e Kosovës. Në ndërkohë, më 8 dhjetor 2021, Radojiçiq është sanksionuar në Listën e Zezë të SHBA-së (shih: fotot e bashkëngjitura). Por, gjatë qershorit 2022, pra gati 4 vjet pasi Radoiçiqit i ishte bastisur banesa dhe rreth 7 muaj pasi ishte futur në Listë të Zezë, shefja e Grupit Parlamentar të pushtetit në Kosovë dëgjohet me zë duke folur Radoiçiqin në telefon”, ka shkruar Ramadani në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, Kusari-Lila duhet të jap dorëheqje dhe të rrëfehet para organeve kompetente për bisedën në fjalë.

Madje, duke i “raportuar” që sapo i përfundoi takimet në Kuvend dhe, pasi që u lirua (nga obligimet) po shkon në shtëpi. Pra, në pak sekonda që dëgjohet telefonata, ajo më shumë ishte Raportim për axhendën ditore të Mimozës! Mimoza, dorëhiqu sot dhe rrëfeu për të gjitha detajet me saktësi! Hapja rrugën Prokurorisë të bëjë punën pa presionin e pushtetit!”, ka shkruar ai.

Edhe kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, mendon se biseda e Kusari-Lilës me Radoiçiqin ka prekur sigurinë kombëtare të Kosovës.

Biseda Mimoza-Radojçiq duhet me destabilizu gënjeshtrën e këtij pushteti. Një herë thanë biseda nuk ekziston, pastaj thanë ishte bisedë e rastësishme, për t'u kuptuar pastaj se është bisedë e rregullt, e planifikuar. Mimoza siç duket po e fillon vyshkjen e VV-së. Fillimisht si aurë - adresë morali, pastaj si elektorat. Kur po zhvillohej biseda, Radojçiq ishte në listën e zezë të ShBA-së, por mbi të gjitha Kosova e dinte atë si dorën instrumentale të Serbisë në Kosovë. Mimoza me Slavkon, pastaj me Radojçiqin kanë negociuar mbi çështjen e energjisë, duke e bërë këtë e ka rrezikuar sigurinë nacionale”, ka shkruar Molliqaj.

Kërkohen veprime nga Prokuroria

Biseda e Kusari-Lilës më Radoiçiqin i ka nxitur edhe thirrjet ndaj Prokurorit të Shtetit.

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka bërë me dije se prokuroria duhet të hetojë këtë rast.

Kjo bisedë klandestine mes Mimoza Kusarit dhe Milan Radojçiqit zbulon aleancat e dyshimta dhe agjendat e fshehura që dëmtojnë interesat tona kombëtare. Është e habitshme të shohësh shefen e deputetëve të Vetëvendosjes, një parti që ka gojën plot “patriotizëm”, “transparencë” e “integritet”, të koordinohet afërsisht me një figurë famëkeqe kriminale që ka cenuar interesat, integritetin dhe sovranitetin e Republikës sonë. Ky rast hedh poshtë parimet e tyre të deklaruara deri më tani, duke qitur në pah se pas dyerve të mbyllura, Vetëvendosje janë të gatshëm të komprometojnë vlerat e tyre dhe interesat kombëtare për interesat e tyre politike dhe kushedi çfarë interesa tjerë”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”, duke shtuar e veprimet e prkurorisë duhet të jenë urgjente.

Ftojmë prokurorinë e shtetit të hetojë këtë rast me urgjencën dhe prioritetin më të lartë, pasi që interesat tona kombëtarë janë shtruar tani më me një terrorist të konfirmuar”, ka vlerësuar ai.

Edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, mendon se biseda e deputetes së LVV-së me Milan Radoiçiqin duhet të hetohet.

Madje, ai mendon se për këtë çështje duhet të hetohet edhe kryeministri Albin Kurti.

Meqenëse u vërtetua në përgjime se Shefja e Grupit parlamentar te LVV-së ka komunikuar në telefon me terroristin Milan Radojçiq, siç e kam thënë edhe më parë që së paku prokuroria duhet ta marrë në pyetje Mimozën e të shoh për ngritje të ndonjë aktakuze ndaj saj, por tash situata u qartësua dhe mendoj se prokuroria duhet që të ngris shpejt aktakuzën ndaj saj, e të hetohet edhe Kryeministri Kurti për këtë, duke pasur parasysh se ajo ka folur në emër të partisë në pushtet”, ka shkruar Klinaku.

Deri me tani, deputetja e LVV-së nuk e ka komentuar audio-incizimin që dëshmon bisedën me kriminelin serb.

Lajme të ngjashme