Cakolli tregon pse nuk po konstituohet Kuvendi: Askush s’lëviz, ngase askush s’po do të qeverisë
Eugen Cakolli nga KDI ka treguar se pse nuk po konstituohet Kuvendi i Kosovës.
Ai ka vlerësuar se arsyeje se pse askush nuk po lëviz drejt një zgjidhje është se askush nuk po dëshiron të qeverisë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Cakolli ka shkruar se as partia fituese e zgjedhjeve dhe as partitë tjera nuk po duan të shkojnë në zgjedhje të reja.
“Kuvendi nuk po konstituohet dhe të gjithë po presin. Jo pse s’po gjendet zgjidhja, por pse askush nuk po e kërkon me të vërtetë - sidomos partia fituese (relative) e zgjedhjeve. Derisa s’ka Kryetar, ora kushtetuese nuk fillon. Nuk ka afate, nuk ka presion, prandaj nuk ka as përgjegjësi. LVV-ja e di që nuk i ka votat. Opozita e di po ashtu, por as ajo nuk është kompakte. Askush nuk lëviz, ngase askush s’po do as të qeverisë, as të shkojë në zgjedhje – tani për tani. Dhe kjo sepse në momentin kur Kuvendi konstituohet, dikush do të duhet ta marrë barrën. Ose të qeverisë, ose të rrëzohet, ose të dorëzohet”, ka shkruar Cakolli.
Sipas tij, në këtë lojë me pasoja ka një paradoks.
“Por në këtë “lojë pa pasoja”, ka një paradoks. Në katër përpjekje për konstituim, dy janë me mëditje për deputetët. Por “punë efektive” është veç pak më shumë se një orë gjithsej. Kjo nuk është më krizë kushtetuese apo funksionaliteti. Të gjithë bëjnë sikur presin diçka. Por realisht, po presin që asgjë të mos ndodhë”, ka shkruar Cakolli.