Buzhala: Specialja është kidnapuar nga një grup kriminal – të mendosh se s’ka rëndësi për shtetin, është naivitet
Gazetari Berat Buzhala ka ngritur shqetësime serioze mbi mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale, duke iu referuar raportimit të Gazetës Nacionale për pranimin e provave të siguruara nga Serbia.
“Faktet dhe informacionet po i marrin prej UDBA-s edhe prej Serbisë”, tha ai ndër të tjera në Rubikon të Klan Kosovës.
Buzhala kritikoi edhe paraqitjen e djeshme të presidentes Osmani në konferencë, e cila foli për zhvillimet në Hagë vetëm në fund, pasi u pyet nga gazetarët.
“E kemi presidenten Osmani, e cila reagoi për një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, që për mua ishte banale. Në anën tjetër, pastaj, vetëm edhe aty u lidh: ‘Edhe këta shumë keq po bëjnë’”. – shtoi ai.
Duke komentuar më tej ndikimin e procesit të Hagës, ai shtoi se çdo përpjekje për të relativizuar rëndësinë e këtij procesi është ose shenjë e një naiviteti të thellë, ose një qëllim i rrezikshëm për të rishkruar historinë e luftës çlirimtare.
“Kushdo që thotë se nuk ka rëndësi shteti për shtetin e Kosovës epilogu atje, është ose absolutisht naiv, ose e ka dëshirën perverse për me e zhbë një pjesë jashtëzakonisht të rëndësishme të historisë.”
Buzhala vlerësoi se Gjykata Speciale është vënë nën kontrollin e një grupi të organizuar kriminal, duke kujtuar se ish-Kryeprokurori Jack Smith, i cili ka ngritur aktakuzën kundër ish-presidentit Thaçi, është subjekt hetimi në ShBA për përfshirje në një konspiracion kundër Presidentit amerikan, Donald Trump.
“Gjykata Speciale është kidnapuar nga një grup i organizuar kriminal. Ai që e ka ngritur aktakuzën është nën hetime në ShBA për konspiracion kundër presidentit Trump. Pjesë e konspiracionit ka qenë edhe arrestimi Hashim Thaçit”, shtoi Buzhala.