Brenda pak orëve, Presidenca dy herë e kundërshton Qeverinë: A po “divorcohen” përfundimisht Osmani e Kurti? - NACIONALE

Brenda pak orëve, Presidenca dy herë e kundërshton Qeverinë: A po “divorcohen” përfundimisht Osmani e Kurti?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duket se i ka mbetur hatri që Qeveria e Kosovës nuk e ka konsultuar për letrën e fundit që kryediplomatja Donika Gërvalla ia ka dërguar Këshillit të Evropës.

Dallimet në mes Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës po thellohet çdo ditë e më shumë. E enjtja ka qenë dita kur institucionit i Presidencës e ka bërë publik mospajtimin me Qeverinë e Kosovës rreth një çështje të caktuar, raporton Nacionale.

Madje, brenda pak orëve Presidenca dy herë e ka kundërshtuar Qeverinë në lidhje me letrën që Donika Gërvalla ia ka dërguar presidentit të Asamblesë Parlamentare.

Këto kundërshtime janë bërë në ditën që presidentja Osmani ka takuar në zyrën e saj ambasadorin amerikan, ambasadorin gjerman dhe ambasadorin britanik.

Kjo është hera e parë që thuhen aq zëshëm dallimet në mes të këtyre dy institucioneve të Kosovës.

Pak orë pasi kryediplomatja Donika Gërvalla ka njoftuar së presidentit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së i ka nisur një letër, ku Kosova zotohet se do ta hartojë një draft të ri për Asociacionin dhe do ta dërgojë në Kushtetuese, ka reaguar Presidenca.

Përmes një komunikate zyrtare, është bërë me dije se Qeveria nuk e ka konsultuar fare për ketë temë.

Letra e djeshme e Qeverisë së Kosovës dërguar në KIE, nuk është konsultuar dhe dakorduar me Presidenten Osmani”, thuhet qysh në fillim.

Tutje, thuhet se ky institucion përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me presidencën.

Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve.”, është vlerësuar në komunikatën e Presidencës, duke lënë të nënkuptohet se letra në fjalë nuk është konsultuar as me aletët e Kosovës.

Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën. Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione. Presidentja Osmani gjatë gjithë ditës po vazhdon konsultimet me aleatët rreth çështjes së anëtarësimit në Këshill të Evropës, ashtu siç ka bërë për një kohë të gjatë, me qëllim të zhbllokimit të këtij procesi.”, thuhet në komunikatë.

Presidencës nuk i ka mjaftuar vetëm ky reagim. Në orët e mbrëmjes, Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes Osmani, ka lëshuar një reagim edhe më të ashpër.

Në një përgjigje për emisionin “Debat Plus”, ai ka vlerësuar se veprimet e tilla janë kundër frymës së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe nuk e ndihmojë Kosovën.

Konkretizimi i zotimeve të marsit të 2024 e jo të prillit siç thuhet nga Ministria e Jashtme, mund të bëhet vetëm pas pajtimit të tre krerëve të shtetit, gjë që nuk ka ndodhur. Veprime të tilla janë kundër frymës së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe nuk mund ta ndihmojnë Kosovën.”, ka thënë Kupina, duke shtuar se Osmani po vazhdon të përpjeket për të siguruar që Kosova të futet në agjendë për KiE.

Pse po kjo përplasje?

Njohësit e rrethanave politike në vend e kanë komentuar përplasjen e Presidencës me Qeverinë.

Ata kanë bërë me dije se kjo është hera e parë që Presidenca flet zëshëm për mospajtimet me Qeverinë e Kosovës.

Profesori universitar Mazllum Baraliu ka vlerësuar se mospajtime në mes të këtyre dy institucioneve ka pasur edhe më herët, por kjo e fundit është më serioze.

Në një intervistë për Tëvë1, ai ka thënë se kjo është hera e parë që Presidenca kaq zëshëm thotë se nuk e pranon veprimin e Qeverisë lidhur me letrën e kryediplomates Donika Gërvalla drejtuar Këshillit të Evropës.

Moskoordinime ka pasur edhe më herët. Edhe mospërputhje dhe mospajtime. Mirëpo, ky koalicion ashtu siç është formuar hera herës ia kanë gëlltitur pra përfaqësuesit e tyre në relacion edhe me presidencën, kanë tejkaluar edhe momentet e caktuara të papërshtatshme dhe mos-harmonizuese. Tani më në këtë rast reagimi i Presidencës është diçka që në mënyrë të dalluar pra thotë se nuk pranojnë veprime nga Qeveria”, ka thënë Baraliu.

Ai ka vlerësuar se me veprime të tilla, koalicioni qeverisës po del joserioz dhe i paaftë.

“Është hera e parë në mënyrë kaq ekspresive dje të zëshme deklarohet Presidenca në relacion me veprimet dhe qëndrimet e ekzekutivit. Prandaj, këtë duhet marrë seriozisht ekzekutivi. Ajo që më vjen keq më së shumti është fakti që po dalim joserioz, të pavendosur dhe të pakoordinuar, të paaftë. Nuk jemi pra të aftë të bëjmë konsensus jo vetëm me opozitën jo se jo, por edhe brenda partive qeverisëse”, është shprehur ai.

Ndërsa, analisti Dukagjin Gorani ka treguar se cili është qëllimi i kësaj përplasje publike.

Gorani beson se Osmani e ka nisur divorcin formal nga Lëvizja Vetëvendosje, për shkak të frikës se ku do të mund të çojë qorrsokaku në të cilin ka hyrë kjo parti.

Qëllimi, qysh po shihet këtu, është ky: Presidenca mendon që e ka gjetë momentin ideal per me nis një divorc formal me një organizatë e cila ka gjasa që është nis një qorrsokaku, edhe fundi i këtij qorrsokaku tashmë është ka shihet. Në pjesën e dytë të emisionit mund të diskutojmë cili do të jetë fati i Presidencës dhe presidentes në frymën ose në dritën e zhvillimeve të fundit kur partia Vetëvendosje u pasurua edhe me një partner junior çfare është PDK-ja”, ka vlerësuar. Gorani.

Sipas Goranit, kjo perplasjemund të këtë filluar edhe për shkak të takimit të së hënë të Memli Krasniqit me Albin Kurtin.

Në frymën e qesaj, unë besoj se është folur edhe për fatin ose për shkurtimin e fatit të presidentes. Paj për çfarë ka mundur me u fol aty. Unë veç e di që s’ka mujtë me u fol për çështje çfare është Këshilli i Evropës, çështja politike, aty është folur çfarë folet zakonisht e që ajo është për pazare. Këtu ish kanë mirë na me e definu termet, në jetën politike në Kosovë nuk ka pasur kurrë koalicione. Se koalicione është gjendje e caktuar një far kulture politike. Në Kosovë gjithmonë krijohen kartele”, ka theksuar Gorani.

Kjo nuk është hera e parë që këto dy institucione shprehin dallime.

Fundi i vitit të kaluar dhe fillimi i këtij viti ka shpërfaqur mospajtimet në mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.

Gjatë kësaj kohe, nuk kanë qenë të rralla rastet kur shefja e shtetit dhe shefi i qeverisë kanë shprehur dallime në qëndrime për çështje të caktuar.

Dialogu me Serbinë, draft-statuti i Asociacionit, Ligji për Zgjedhjet, sjellja ndaj aleatëve dhe çështja e dinarit kanë qenë temat që presidentja Osmani ka pasur qëndrime të ndryshme nga ato të Kurtit.

Lajme të ngjashme