Borrell rekomandon heqjen e masave ndaj Kosovës - NACIONALE

Borrell rekomandon heqjen e masave ndaj Kosovës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, siç raporton Radio Evropa e Lirë, ka rekomanduar heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Sipas këtij raportimi, Borell ka rekomanduar ndaj shteteve anëtare që të hiqen masat ndaj Kosovës.

Duke marrë parasysh hapat që ka ndërmarrë Kosova drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit të vitit 2023, përfaqësuesi i lartë i rekomandon Këshillit që të marrë qëndrimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, në të njëjtën kohë duke respektuar prerogativat institucionalë”. – thonë burimet e REL.

Edhe Qeveria e Kosovës është shprehur optimiste për raportin e Borrelit.

Javën e kaluar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është shprehur optimist për këtë çështje.

Gjatë raportimit në mbledhjen e djeshme të Komisionit për Integrimeve Evropiane, Bislimi beson se do të ketë një përgjigje pozitive për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

Raporti i z.Borrell është parakusht për trajtimin në KiE, është përpiluar në muajin prill, por ka pasur hezitim që të dërgohet në Komision. Raporti është dashur që të dorëzohet pardje, por një pjesë e Komisionit ka kërkuar pak shtyrje. Besojmë se do të dorëzohet javën tjetër. Informacionet që kam është se përmbajtja e raportit është pozitive dhe rekomandon heqjen e masave… Masat kanë ekspozuar njëanshmërinë e vet në gjithë këtë proces”, shtoi ai, duke theksuar se “ka pasur tendencë që masat të keqpërdoren.”, ka thënë Bislimi.

Kurse, Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ende nuk e di pse Bashkimit Evropiane i ka vendosur masat ndëshkuese Kosovës.

Ndonëse për gati një vit zyrtarët e BE-së me dhjetëra herë kanë shpjeguar se pse janë vendosur ato masa, zëvendëskryeministrja Gërvalla duke se ende nuk e ka të qartë.

Madje, ajo pretendon se askush nuk e di një gjë të tillë.

Mendoj se problemi që nuk po hiqen masat është sepse askush nuk po e di për çka janë vendosur. Ka pasur një kërkesë për deeskalim, deeskalimi ka ndodhur para muajsh dhe askush nuk po është në gjendje të konstatoj se çka duhet të bëj Kosova”, ka thënë ajo mbrëmë në një intervistë për TËVË1.

Shefja e diplomacisë kosovare ka fajësuar BE-në për vendosjen e këtyre masave.

Sipas saj, kjo është paaftësi e Brukselit dhe jo e vendeve anëtare të BE-së.

Prandaj, kam vendosur që të mos i komentoj ato masa, sepse me duken tërësisht të pakuptimta. Dhe e dyta, janë shprehje e paaftësisë së Brukselit. Pra të Bashkimit Evropian, jo të shteteve anëtare, por të strukturave burokratike të BE-së për të gjetur zgjidhje në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ajo, duke shtuar se BE-ja po bën eksperimente me Kosovën.

Prandaj, bëhen eksperimente, prandaj bëhet propozime të cilat tre ditë më pas ndryshojnë. Kështu që, detyre e jona është që të jemi konstruktiv në proces, të vijmë vazhdimisht me propozime të cilat i ndihmojnë komunitetit jo shqiptar në Kosovë, pra komunitet serb, boshnjak, ashkali, romë, egjiptian dhe gjithë të tjerëve, dhe të mos bëjmë gabime, ose të paktën të mos kontribuojmë në përkeqësimin e gabimeve që janë bërë në të kaluarën”, ka thënë Gërvalla.

Kurse, opozita ishte shprehur pesimiste.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, javën e kaluar kishte thënë se për heqjen e këtyre masave duhet një konsensus i plotë i vendeve anëtare të BE-së.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, ajo pati vlerësuar se deri me tani vendete BE-së nuk kanë dhënë indikacione për heqjen e masave në fjalë.

Që të largohen masat e BE-së ndaj Kosovës duhet konsensus i plotë, që domethënë, duhet të votojnë edhe vendet jo njohëse ndaj Republikës së Kosovës. Në fazën në të cilën jemi, bashkëpunimin që e kemi si shtet me aleatët, prononcimet e tyre publike nuk ka indikacione që do të merret ndonjë vendim pozitiv së shpejti. Po ashtu, janë kushtet e caktuara nga BE-ja drejt Qeverisë së Kosovës që duhet qeveria të i plotësoj në mënyrë që masat të largohen. Kushtet janë direkt të lidhura me situatën në veri të Mitrovicës”, ka thënë Musliu-Shoshi.

Kosova është vendosur nën sanksione të BE-së në qershor të vitit të kaluar. Kjo pasi Kosova kishte ndërmarr disa veprime të njëanshme në veri të vendit, të cilat ishin kritikuar nga BE-ja dhe ShBA-ja. Pavarësisht thirrjeve të shumta të liderëve institucionalë për largimin e këtyre masave, ato vazhdojnë të jenë në fuqi për gati një vit.

Lajme të ngjashme