Borrell optimist për ecurinë e dialogut: Të dyja palët po lëvizin. Ngadalë, por po lëvizin - NACIONALE

Borrell optimist për ecurinë e dialogut: Të dyja palët po lëvizin. Ngadalë, por po lëvizin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka bërë të ditur se ka pasur lajm të mirë për dialogun Kosovë-Serbi ditët e fundit dhe ka bërë thirrje nga palët të vazhdojnë përpara në rrugën e dialogut për të siguruar një perspektivë evropiane. Këto deklarata Borrell i bëri gjatë konferencës para nisjes së Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

“Ditët e fundit kemi pasur lajm të mirë, të dyja palët po lëvizin. Ngadalë, por po lëvizin. Duhet t’i shtyjmë të shkojnë kësaj rruge sepse është e vetmja për ta për të pasur perspektivë të qartë evropiane”, deklaroi Borrell.

Borrell tha se BE-ja ka investuar shumë kohë dhe energji në dialogun Kosovë-Serbi, duke arritur zgjidhje.

“Ka kaluar nëpër ulje dhe ngritje, edhe zgjidhje: targat, letërnjoftimet, energjia ,marrëveshja e fundit e mirë, përparim me Marrëveshjen e Ohrit dhe aneksin e zbatimit”, tha ai.

Në lidhje me mundësinë e një takimi të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, Borrell tha se janë në një dialog të vazhdueshëm dhe se do të organizohen takime të nevojshme kur të vijë momenti i duhur.

“Përfaqësuesi Special po udhëton nga njëra anë në tjetrën. Kur të vijë momenti, do të bëjmë sa më shumë takime të nivelit të lartë që të jetë e nevojshme”, pohoi shefi i diplomacisë së BE-së.

Borrell theksoi se situata aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor është sfiduese dhe e rrezikshme për BE-në dhe fqinjësinë e saj.

Ai shtoi se është e rëndësishme të punohet në dy drejtime.

“Mendoj se duhet të punojmë në dy drejtime. Së pari, padyshim, zgjerimi duhet të përshpejtohet. Ajo është garancia jonë më e rëndësishme e sigurisë dhe mënyra jonë më e rëndësishme për t’u bërë partnerë. Dhe së dyti, nga pikëpamja e politikës së jashtme, të mbështesim ata që janë më të lidhur me politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë. Po them Politika e Jashtme dhe e Sigurisë sepse sa më shumë të përafrohen me politikën tonë të jashtme, aq më të mëdha janë sfidat e sigurisë me të cilat përballen, si sulmet kibernetike. Dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të rrisim qëndrueshmërinë e tyre”, tha ai.

Lajme të ngjashme