Bordi i RTK-së themelon Komitetin e Auditimit, emëron dy anëtarë të jashtëm
Bordi i Radio Televizionit të Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës.
Në mbledhjen gjegjëse është diskutuar lidhur me gjetjet e raportit të performancës dhe atij të pasqyrave financiare, përcjell Gazeta Nacionale.
Përmes një noftimi, është bërë i ditur se bordi ka themeluar Komitetin e Auditimit, teksa ka emëruar edhe dy anëtarë të jashtëm për komitetin në fjalë.
Më poshtë edhe komunikata e plotë.
Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) në mbledhjen e mbajtur të enjten ka diskutuar lidhur me gjetjet e raportit të përformancës dhe atij të pasqyrave financiare të publikuara në po të njëjtën ditë nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
Bordi i ka mirëpritur këto dy raporte, ndërsa është zotuar në adresimin dhe zbatimin e rekomandimeve.
Disa nga rekomandimet veçse kanë filluar të zbatohen. Në këtë mbledhje bordi i RTK-së ka themeluar Komitetin e Auditimit duke emëruar dy anëtarët e jashtëm të këtij komiteti, të cilët janë zgjedhur sipas procedurave të rregullta të konkursit publik.
Funksionalizimi i Komitetit të Auditimit në RTK është një veprim që bëhet për herë parë ashtu siç parashihet në Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Financave 01/2019 për themelimin dhe funksionimin e Komitetit të Auditimit në subjektin e sektorit publik.
Komiteti i Auditimit ndihmon udhëheqësin e subjektit të sektorit publik në përmirësimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike, me qëllim që të arrihen objektivat e synuara të RTK-së.
Në këtë mbledhje Bordi po kështu, duke u bazuar në Ligjin për RTK-në, ka emëruar katër anëtarët e Grupit Këshillues të Publikut, të cilët i janë nënshtruar procedurave të rregullta të konkursit publik. --- Bordi i Radio Televizionit të Kosovës