Gjykata bllokoi shtrenjtimin e energjisë, PDK-ja bën thirrje për zbatim të vendimit - NACIONALE

Gjykata bllokoi shtrenjtimin e energjisë, PDK-ja bën thirrje për zbatim të vendimit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

E PËRDITËSUAR - 12:26

Partia Demokratike e Kosovës e cila u ankua në Gjykatë për shtrenjtimin e energjisë, ka dalur në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Pas vendimit të Gjykatës e cila pezulloi përkohësisht zbatimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë, PDK-ja këtë po e vlerëson si fitore të qytetarëve.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në konferencë për media ka thënë se ky vendim duhet të zbatohet medoemos. Nëse jo, atëherë të gjithë personat që nuk e zbatojnë, mund të shkojnë edhe në burg pasi bëjnë vepër penale.

Tashmë vendimet kanë rënë poshtë, përkohësisht janë pezulluar deri në vendimin final. Në rast se nuk respektohet ky vendim, përbën shkelje flagrante dhe vepër penale. Ata njerëz që mendojnë se mund të mos e zbatojnë këtë vendim, do të përballen me vepër penale dhe një vepër e tillë penale shkakton pasoja të mëdha për anëtarët e bordit që normalisht mund të përfundojnë në burg. Ajo që vlen të theksohet është se dosjen që e ka dorëzuar ZRRE është e habitshme se nuk kanë dhënë as përgjigje në kërkesën e gjykatës për pezullim të vendimit për shtrenjtim të energjisë. Qytetarët tani e tutje nuk do ta paguajnë energjinë me shtrenjtim 100%”, u shpreh Tahiri.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala ka deklaruar se kjo çështje nuk do të ndalet me kaq, pasi me të do të merret edhe komisioni hetimor që pritet të krijohet.

“Ne kemi ngritur këtë shqetësim në grupin tonë parlamentar, dhe sot po konfirmohet nevoja për një komision hetimor parlamentar. Vendimi i sotëm është konfirmim shtesë, për nevojën urgjente të ngritjes së komisionit hetimor parlamentar që tashmë kemi 40 nënshkrime për këtë. Ne kërkojmë dhe do të vazhdojmë që këtë diskriminim në faturim dhe gjithë sektorin menaxhues ta ndërpresim me mjete demokratike”, ka thënë Shala.

E Blerand Stavileci nga PDK-ja, tha se qeveria Kurti II po vazhdon t’i zhgënjejë qytetarët.

E ftojmë qeverinë që tu kthehet qytetarëve. Nuk ka asnjë arsye që vendimi i gjykatës të mos zbatohet. Si konsekuencë e këtij vendimi, dhe krizës që ka kapluar me këto çmime, ftojmë qeverinë dhe organet e tjera që të gjejnë zgjidhje me të cilat mbrohen të drejtat elementare të qytetarëve”, ka thënë Stavileci.

Gazeta Nacionale qysh nga mëngjesi i sotëm ka raportuar për vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për ta pezulluar përkohësisht zbatimin e vendimit për rritjen e tarifave të energjisë.

.............................................................................

E PËRDITËSUAR - 11:05

Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit të ZRrE-së nuk po pajtohet me vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila e bllokoi përkohësisht shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Gazeta Nacionale raportoi qysh në mëngjes, pasi Gjykata ka vendosur që vendimi për rritjen e tarifave të energjisë të pezullohet deri në vendimin final. Kjo pas padisë nga Partia Demokratike Kosovës.

Fejzullahu ka thënë për gazetën Nacionale se ende nuk e kanë pranuar vendimin nga Gjykata. Megjithatë, ka theksuar se do të ankohen menjëherë në Gjykatën e Apelit. Kjo pasi sipas tij, vendimi për rritjen e tarifave ka qenë në përputhje me ligjin.

Ne ende nuk e kemi pranuar vendimin, por sapo ta kemi atë ne do të apelojmë vendimin e Gjykatës Themelore në përputhje me këshillën ligjore. Vendimi i ZRrE-së për të caktuar të hyrat maksimale dhe tarifat e energjisë elektrike është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Fejzullahu për gazetën Nacionale.

Për këtë çështje, PDK pritet të mbajë një konferencë për media në orën 12:00.

......................................................................

E PËRDITËSUAR - 09:15

Gazeta Nacionale qysh në mëngjes ka raportuar për vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila i ka vënë masë të përkohshme rritjes së çmimit të energjisë.

Si rezultat, Partia Demokratike e Kosovës e cila e ka paditur ZRrE-në sot do të dalë në një konferencë për media, ku do të shpalosë detaje.

Megjithatë, nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë ende nuk kanë asnjë informacion.

Petrit Pepaj, drejtor menaxhues në ZRrE ka thënë për gazetën Nacionale se deri dje në orën 16:00 nuk e kanë pranuar asnjë vendim.

Deri dje në orën 16:00 kur përfundon orari nuk kemi pranuar ndonjë vendim. Tash po dëgjoj. Përderisa nuk e shohim vendimin nuk di çka me thënë. Nuk mundem me komentu diçka që nuk e kam parë”, ka thënë Pepaj për Nacionalen.

Gazeta Nacionale ka siguruar vendimin fillestar të gjykatës, ku rritja e çmimit të energjisë pezullohet për momentin, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Shtyhet ekzekutimi i vendimit Nr.077/22 i datës 09.02.2022 i publikuar më datë 16.02.2022 i të paditurës Zyra e Rregullatorit për Energji me seli në Prishtinë derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor me padinë e paditëses”, thuhet në vendimin që e ka siguruar Nacionalja.

.......................................................

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masë të përkohshme ndaj vendimit të ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike, vendim që u aprovua më 9 shkurt të këtij viti.

Gazeta Nacionale ka siguruar vendimin fillestar të gjykatës, ku rritja e çmimit të energjisë pezullohet për momentin, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Shtyhet ekzekutimi i vendimit Nr.077/22 i datës 09.02.2022 i publikuar më datë 16.02.2022 i të paditurës Zyra e Rregullatorit për Energji me seli në Prishtinë derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor me padinë e paditëses”, thuhet në vendimin që e ka siguruar Nacionalja.

Kjo konfirmohet edhe nga një konferencë që e ka thirrur për ditën e sotme Partia Demokratike e Kosovës e në të cilën pritet të flasin: shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, kryetari i komisionit për energji, Ferat Shala e Blerand Stavileci.

Partia Demokratike të Kosovës më 18 mars kishte njoftuar se e ka paditur Zyrën e Rrregullatorit të Energjisë.

Vendimi i ZRRE-së, meriton shqyrtim gjyqësor në gjykatën kompetente, pos tjerash, edhe për faktin e mos përfshirjes në strukturën e re tarifore të pagesës së energjisë elektrike - të katër komunave veriore, duke diskriminuar kështu qytetarët e pjesës tjetër të vendit. ZRRE, duke mos përfshirë në strukturën e re tarifore të pagesës së energjisë elektrike, katër komunat veriore, përveç diskrimimit mbi bazën e vendbanimit, ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në cenimin e parimit të sundimit të ligjit dhe shtrirjes së sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të shtetit. Vendimi i kontestuar, po ashtu ka të meta në pikëpamje të plotësimit të kushteve ligjore të procedurës administrative të cilat sigurisht do të argumentohen dhe provohen në procedurën kontestimore në Gjykatë”, thuhej në njoftimin e PDK-së.

Vendimi për rritjen e tarifave të energjisë kush shpenzon më shumë se 800 kilovatë, kishte hyrë në fuqi nga data 16 shkurt 2018. Për këtë vendim, kishte pasur edhe protesta nga shoqëria civile e PSD-ja.

Lajme të ngjashme