‘Bllokimi’ i drejtësisë së Kosovës: Pse ka grevë tash e një javë nëpër gjykata? - NACIONALE

‘Bllokimi’ i drejtësisë së Kosovës: Pse ka grevë tash e një javë nëpër gjykata?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Të hënën, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, kishte shkuar në Pallatin e Drejtësisë me qëllimin që t’i bindte punëtorët e administratës ta ndalojnë grevën e nisur tash e sa ditë. Megjithatë, përpjekja e Zogajt doli të ishte e dështuar. Punëtorët e administratës në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe gjykatat e tjera, janë duke e vazhduar grevën.

Takimet ishin pa rezultat edhe me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke bërë që greva e punëtorëve të hyjë në ditën e shtatë me radhë.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Nacionale kryetari i Sindikatës së punëtorëve, Naim Rrustemi. Ky i fundit ka deklaruar se nuk kanë marrë zotime konkrete, për realizimin e kërkesave të tyre.

“Kemi pasur takime, por rezultate jo. Nuk na është plotësuar asnjë kërkesë. Ne kemi kërkuar përafrimin e pagave tona me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ata na ikin për 4-5 paga dhe kjo është diskriminuese. Ligji që po hartohet nga Ministria e Drejtësisë është në rregull, mirëpo përmbajtjen e tij ne nuk e dijmë. Kemi kërkuar nga 150 euro në këtë kohë krize deri në aprovimin e ligjit për paga, por as këtë nuk e pranuan”, - ka thënë Rrustemi.

Pavarësisht raportimeve se greva është ndërprerë në disa prej gjykatave në qytetet e tjera, kryesindikalisti ka thënë se nuk është në dijeni për këtë.

“E di që edhe Prokuroria e Pejës dhe e Ferizajt janë në grevë, janë bashkuar. Nuk di që ka ndërprerje. Arsyeja pse disa seanca po mbahen është në diskrecion të gjyqtarëve, unë nuk e di a kanë legjitimitet që po i mbajnë seancat me praktikanta”, - u shpreh Naim Rrustemi.

Kritikat e avokatëve

Si rezultat i grevës, disa gjyqtarë kanë zgjedhur t’i mbajnë një pjesë të seancave me praktikantë. Kjo, ka shkaktuar konfuzion te palët por edhe te avokatët.

Arianit Koci

Avokati Arianit Koci ka thënë për Gazetën Nacionale se udhëheqësit e sistemit të drejtësisë në Kosovë duhet të reagojnë, pasi situata është e ndërlikuar.

Kërkesat e grevistëve janë të arsyeshme. Nuk mundet një zyrtar i ligjor apo një punëtor i administratës ta ketë rrogën 500 euro, e gjyqtari 2 mijë euro. Kjo nuk është e drejtë. Gjykatat në Kosovë janë shumë të ngarkuara, në veçanti Gjykata Themelore në Prishtinë. Me këto greva, gjendja është rënduar”, - u shpreh Koci.

Sipas Kocit, duhet qartësi, pasi edhe avokatët, por edhe palët, janë konfuzë për mënyrën e grevës dhe mbajtjen e seancave.

Përveç Gjykatave, punëtorët e administratës kanë hyrë në grevë edhe nëpër disa prokurori të Kosovës.

Lajme të ngjashme