Bllokada e radhës, votimi i nënkryetarit serb: Krejt çka ndodhi në seancën e sotme
U tha se u zhbllokua situata, por duket se bllokada e radhës është në derë.
Pas zgjedhjes së Dimal Bashës kryetar i Kuvendit, erdhi radha te votimi i nënkryetarëve.
Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku, Kujtim Shala u zgjodhën nënkryetarë.
Nga nënkryetarët e komuniteteve parashihej votim i përbashkët, por më pas shkuan me votim të ndarë.
Emilija Rexhepi mori votat, por propozimi i Listës Serbe jo.
Slavko Simiq në tri tentimi nuk mori votat e mjaftueshme. Më pas, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, procedoi me short.
Kandidatët e Listës Serbe nuk pranuan të jenë pjesë e procesit e as kandidatë.
Shorti dikur e nxori emrin e Nenad Rashiqit, por as ky nuk mori votat.
PDK-ja abstenoi në këtë votim, kurse LDK-ja nuk mori pjesë në votim. Këta të fundit, në asnjë votim nuk morën pjesë.
Si rezultat, seanca u pezullua për të vazhduar të enjten. Kjo duket të jetë bllokada e radhës politike në Kosovë, pasi VV-ja po insiston që Listës Serbe të mos i takojë nënkryetari.
Nga PDK dhe AAK veçse shprehën frikën se Vetëvendosja do ta bllokojë çështjen te Nënkryetarët: përkatësisht te Nënkryetari që me Kushtetutë të Kosovës i takon komunitetit serb, që përfaqësohet nga Lista Serbe.
Vetëvendosja veçse e ka shpreur qëndrimin se janë kundër që Lista Serbe të ketë Nënkryetarin nga komuniteti serb.
Votimi i Nënkryetarëve shkon në pako, ndërsa me kërkesë të tyre përmes Elbert Krasniqit e ndanë në veç e veç për komunitet pakicë jo serbe dhe ato serbe.
Daut Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës pas zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Bashën, tha se tash sfida e radhës është te Nënkryetarët dhe potenciali për bllokim i Vetëvendosjes.
“Më mirë që ky moment të jetë hapi i parë, e të shohim sfidën e radhës te Nënkryetarët. Edhe këtu shoh problem e sfidë. Se aty votohen ndaras, shqiptarët dhe serbët – dhe nuk e di si do të jetë situata”, tha Daut Haradinaj.
Edhe Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës e njohu “vështirësinë e situatës” që pritet të pasojë me nënkryetarët.