Bizneset po paralajmërojnë falimentimin, shkaku i tyre, Murati tallet me ta: Qeveria jonë më miqësorja në histori - NACIONALE

Bizneset po paralajmërojnë falimentimin, shkaku i tyre, Murati tallet me ta: Qeveria jonë më miqësorja në histori

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, duket se nuk po e mer fare seriozisht situatën alarmante për të cilën po paralajmërojnë bizneset. Madje, ai i ka tallur bizneset, duke e shpallur veten dhe qeverinë ku bënë pjesë, si ‘..qeverinë më miqësore ndaj bizneseve, që ka ekzistuar ndonjëherë.’

Mirëpo ishin vet bizneset që bllokuan Prishtinën në shenjë proteste, pas vendimit të ZRrE-së, e të përkrahur nga qeveria për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Tjetra, ai përmendi rritjen e pagave në sektorin privat, ‘në vitin 2024 paga mesatare në sektorin privat ka shënuar 598 euro bruto, apo 83 euro më shumë sesa viti paraprak’ – shkruan ministri-deputet.

Pra, çfarë po tenton të thotë ai? Nga 2024 e ke pagën më të madhe (inflacioni… etj), tash kur biznesi ku ke punuar falimenton, shkaku i vendimit tonë, mos harro për një vit je paguar 83 euro më shumë se sa kur në qeveri s’ishim ne? A është kjo esenca e talljes së Muratit?

Qysh në të vërtëtë e shohin bizneset qeverinë?

  • 70 punëtorë janë njoftuar të mos dalin në punë në një fabrikë tekstili në Ferizaj: deri në një njoftim tjetër.

Nacionale ka biseduar me kompaninë në fjalë, por se nuk kanë dashur ende të bëhet publike ermri i tyre pasi janë pritje “edhe 10 deri në 16 ditë” duke i shqyrtuar ligjërisht “disa çështje”. Por, nga 140 punëtor sa punësojnë, na thanë se do të detyrohet ta mbyllin të githë repartin e prodhimit “deri në 90 punëtorë” si pasojë e çmimeve të energjisë elektrike në të ashtuquajturin treg “të lirë” ku çmimet e energjisë po u ofertohen deri në trefish.

Kjo pasoja e parë pas hyrjes në efekt të të ashtuquajturit “treg të lirë” të energjisë elektrike për 1 mijë e 3000 biznese prodhuese nga ZRrE (lexo: Qeveria e Kosovës) pa u përmbushur kushtet për treg të lirë, pa u siguruar konkurrencë siç e kërkon ligji – në një gjendje monopoloni me vetëm KESCO-n ofertues: në çmime deri në trefish.

Këta prodhues kanë kërkuar 1 vit afat për përgatitje, përshtatje dhe krijim të kushteteve të tregut të lirë – dhe jo futjen dhunshëm me vendim qeveritar në një situatë ku kostot e energjisë trefishojnë barrën e kostove operacionale. Kjo barrë, thonë ata, përkthehet në: në reduktim të vendeve të punës, në rritje të çmimeve të produkteve të tyre nga ç’ka më nuk mund të konkurrojnë në treg e deri në falimentim. Për më tepër, hyrja në fuqi nga 1 qershori, i qet ata para një fakti të kryer, kur ata veçse i kanë kontratat e shitjes/eksportit një vjeçare.

  • - “Tash, kur çmimet e prodhimit shkojnë shumë lart, na duhet ta mbyllim këtë repart (prodhimi)”, na thanë nga kompania që ka njoftuar 70 punëtorë të mos dalin në punë, me të cilin ka biseduar Nacionale.
  • - Nacionale: Në tërësi, sa persona punësoni – dhe sa nga vendet e punës mund t’i shkëputni?
  • - Kompania: 140 punëtorë. Mendoj se 80 deri në 90 vende të punës duhet t’i shkëpusim – por, duhet t’i bëjmë përllogaritjet, me këtë edhe po merremi
  • - Nacionale: Pra, më shumë se gjysmën e fuqisë punëtore?
  • - Kompania: Po, më shumë se gjysmën.

Me ç’kupton Nacionale, vetë pronari i kësaj fabrike i kishte thënë drejtpërsëdrejti deputetit që ushtron edhe postin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, në një takim të mbajtur kohëve të fundit me bizneset se kështu edhe do të ndodh nëse me 1 qershor nis zbatimi i këtij vendimi. Për më tepër, i njëjti i ka thënë Kurtit se planifikonte të zgjeronte ndërmarrësinë e vet deri në 2 mijë punëtorë, por asgjë.

Nacionale kupton po ashtu se fabrika të tjera veçse kanë ndalur punën e maçinerive prodhuese dhe janë buzë marrjes së vendimit për mbyllje ose reduktim të stafit punues.

Edhe Ilir Ibrahimi nga Oda Ekonomike Amerikane shkroi se sot ka marrë telefonatë për "mbylljen e një fabrike". Ibrajhimi tha se bizneset prodhuese janë duke përjetuar “zhgënjim më të thellë se çdo krizë ekonomike”.

“Sot po mbyllen dyert e fabrikave që dikur gumëzhinin nga puna. Jo për shkak të dështimit, jo për mungesë vizioni apo për mungesë përkushtimi – por për shkak të një vendimi të paarsyeshëm, të marrë në zyrat e ftohta të pushtetit, larg realitetit të biznesit dhe larg njerëzve që mbajnë gjallë këtë vend”, tha ai.

Një pralajmërim tjetër i trisht erdhi nga Kushtrim Ajvazi brenda Odës Ekonomike, repsektivisht Kryetar i Shoqatës së Prodhuesëve të Kosovës, i cili tha se e pa vet në terren se si një kompani prodhuese e ka ndërprerë prodhimin, madje duke i dërguar 200 punëtorë në shtëpi. Arsyeja: Vendimi i ZrrE-së.

Lajme të ngjashme