“Bizneset në prag të kolapsit”: Kërkohet ndërhyrja e qeverisë pas rritjes së çmimit të naftës
Rritja e çmimeve të naftës dhe produkteve të tjera, pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, ka nxitur reagime të shumta në vend, ku po kërkohet ndërhyrja e menjëhershme e Qeverisë së Kosovës për t’i mbrojtur bizneset dhe qytetarët.
Në një deklaratë gjatë së shtunës, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, u shpreh se “shteti funksional është në rrezik”, ku sipas tij, punëdhënësit dhe bizneset janë në prag të kolapsit.
“Çmimi i naftës dhe obligimet fiskale janë bërë të papërballueshme për secilin punëdhënës. Çdo ditë pa veprime konkrete në këtë situatë të pazakontë po i shtyn ndërmarrjet drejt mbylljes dhe po rrezikon mijëra vende pune. Kjo qeveri po përpiqet të ‘luftojë’ çmimet duke i detyruar bizneset të shesin me humbje. Kjo nuk është zgjidhje, por është recetë për falimentim”, ka thënë ai.
Sipas Tahirit, Qeveria Kurti “po përpiqet të luftojë çmimet duke i detyruar bizneset të shesin me humbje”.
Në rastin e Kosovës, ai u shpreh se duhet të bëhet lirimi i menjëhershëm i së paku 8 centëve nga TVSH-ja, si dhe heqja e akcizës për naftën deri në stabilizimin e situatës.
Një propozim i ngjashëm u dha para pak ditësh edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës, duke prezantuar masa për të frenuar rritjen e çmimeve të naftës.
Oda Ekonomike e Kosovës ka propozuar dy masa për uljen e çmimit të naftës:
- Ulja e tatimit mbi akcizën për derivatet e naftës
- Lirimi i përkohshëm ose ulja e normës së TVSH-së për derivatet e naftës
“Këto masa do të ndihmonin në uljen e çmimeve, lehtësimin e barrës financiare dhe stabilizimin e tregut. Masa të ngjashme janë aplikuar tashmë në disa vende të BE-së dhe rajonit për të frenuar rritjen e çmimeve dhe për të mbrojtur qytetarët”, thuhet në reagimin e tyre.
Në anën tjetër, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, së fundi në një intervistë në REL ka deklaruar se “çmimi i naftës nuk përcaktohet në mënyrë arbitrare”.
“Sa i përket marzhës së fitimit, ajo është e rregulluar qartë: +2 cent për litër për shumicë dhe +12 cent për litër për pakicë. Pra, çmimi final është thjesht çmimi i importit plus kjo marzhë fikse – as më shumë, as më pak. Kjo do të thotë se çdo rritje apo ulje e çmimit vjen drejtpërdrejt nga tregjet ndërkombëtare, jo nga ndryshimi i marzhës në tregun vendor”, ka thënë ajo.