Bijat e Shajkocit dhe Burrat e Shefqetit - NACIONALE

Bijat e Shajkocit dhe Burrat e Shefqetit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy iftare brenda një jave kanë bërë një bujë të madhe mediale. Njëri ishte shtruar nga një hoxhë i njohur për islamin politik, e një tjetër ishte shtruar nga mërgata e një fshati në Podujevë. Por mysafirët e këtyre iftareve dallojnë mes vete: Në njërin ishin vetëm gra, e një tjetrin ishin vetëm burra. Natyrisht që këto dy ngjarje (nëse mund t’u themi të tilla) e qesin në pah edhe një herë shoqërinë patriarkale në Kosovë, por nëse analizohen këto dyja si ngjarje sociale me karakter fetar si festa, kanë dallime të mëdha mes tyre. Në njërin iftar ka grumbullim të njerëzve të cilët nuk kanë kurrfarë agjende, ndërsa në iftarin tjetër; vetëm iftar nuk ishte. Më shumë ishte një tubim i një “partie të re islamiste në ardhje” ashtu sikurse Jetlir Buja i referohet në një opinion të tijin.

Por le ti analizojmë këto dy iftare. Iftari me bijat e Shajkocit u paralajmërua me një fotografi të fshatit mbi të cilin është një ylber. Qysh në këtë paraljmërim ose ftesë shihet se ky iftar do të ishte një festë e mirë.

Aty janë ftuar të gjitha gratë e fshatit që janë të martuara diku tjetër, që të bëhen bashkë për një darkë, të cilën e ka paguar diaspora e fshatit dhe banorët e tjerë. Ky iftar është mbajtur në një hapësirë të hapur në fshat dhe në këtë iftar ka pasur shumë festë, muzikë e vallëzim Aty u mbajt vetëm një fjalim nga një banor i fshatit që u uroj mirëserardhje mysafireve, dhe më pas vazhdoi festa. Aty pati vetëm dy apo tri ilahi sa për fillim, por më pas krisi “vallja shqiptare” e Shpat Kasapit. Shikojeni videon Live nëse ju intereson.

Tash le ta analizojme pak iftarin e shtruar nga imami me pikëpamje ekstreme dhe “lideri i islamit politik” në Kosovë. Dallimet e këtij iftari me atë të bijave të Shajkocit janë të mëdha. Iftari i Shfeqet Krasniqit nuk kishte qëllim vetëm grumbullimin për një darkë iftari. Mysafirët e Shefqetit ishin figura politike, njerëz me fuqi dhe biznesmenë e personalitete të industrisë së muzikës dhe normalisht “mendimtarë të tjerë të frymës së Shefqetit”, të tjerë hoxhallarë. Iftarin e Shefqetit për dallim nga atë të Bijave të Shajkocit nuk dihet se kush e ka paguar. Ai është mbajtur në një restorant luksoz dhe me ushqime luksoze të hotelit. Iftari i Shefqetit nuk ishte vetëm iftar, ai këtë darkë e shfrytëzoi edhe për të promovuar librat e tij fetarë. Ua promovoi deputetëve që nuk e mbrojnë Kushtetutën, por Kuranin. Tek iftari i Shefqetit burrat e veshur në kostume solemne në një moment edhe i dathin këpucët për t’u falur midis restorantit.

Në Iftarin e Shefqetit mbajtën fjalime më shumë sesa iftar. Pra ishte një miting politik i islamit. Për dallim prej iftarit të bijave të Shajkocit ku mbizotëronte muzika dhe vallet, tek iftari i burrave të Shefqetit, pati vetëm ilahi të cilat këndoheshin nga një ish-këngëtar imitues i Ibrahim Tatlisesit, po bëhet fjalë për Adem Ramadanin, dhe një ish-reper që tashmë po mundohet t’i lajë mëkatet përmes fesë dhe në vend që t’i këndojë jetës së rrugës, po këndon ilahi që ta gjejë rrugën e Allahut. Në iftarin e Shefqetit pati edhe humor nga një i ashtuquajtur komedian, Hazbi Therra. Vetëm emrin dëgjoja dhe e kupton se çfarë humori mund të bëjë ai. Ose qe, dëgjojeni vetë.

Si përfundim:

Iftari si një nga dy ngjarjet kryesore të muajit të Ramazanit, nuk ka asgjë të keqe. Regjimi i ashpër i ushqimit është pjesë e disa riteve fetare, pastaj përdorimi i iftarit për t’u takuar mes vete ose për të pasur një darkë a mbramje festive nuk ka asgjë të keqe. Por, kur iftari organizohet për ta përodorur si përçues të një ideje ose të nje islami politik sikurse ai i Shefqet Krasniqit, është shumë problem. Për arsyen e vetme: Bijat e Shajkocit nuk kanë asnjë fuqi që mund të kishte ndikim në jetën e qytetarëve dhe debatin publik në Kosovë, ndërsa burrat e Shefqetit janë njerëz të fuqishëm. Iftari i parë po dihet pse u mbajt, po iftarit të dytë, do t’ia dëgjojmë krismën ma vonë.

Lajme të ngjashme