Betimi i Atiq: Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin - NACIONALE

Betimi i Atiq: Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës ka dalur me deklaratë pas betimit të Kryetarit të Mitrovicës veriore, Atiq.

Sipas Policisë së Kosovës, të gjitha përgatitjet ishin bër në atë mënyrë që zyrtarëve t’u mundësohet qasja në objektet komunale e të ruhet rendi e qetësia.

Tutje, Policia është shprehur se falënderon qytetarët për bashkëpunimin që ndërlidhet me sigurinë dhe rendin publik.

E plotë:

Policia e Kosovës (PK), sipas detyrës zyrtare dhe objektivave të parapara strategjike, po vazhdon angazhimet e saj në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend.

Është detyrë e Policisë së Kosovës që të ofrojë siguri, të mbrojë të drejtat themelore të të gjithë personave, të ruajë pronën publike dhe private si dhe t’ua mundësojë lëvizjen e lirë dhe ushtrimin e të drejtave të gjithë personave pa dallim.

Në kuadër të detyrave dhe autorizimeve ligjore, Policia e Kosovës ka bërë planifikimet e saja për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe mundësimin e ushtrimit të së drejtës së zyrtarëve të komunave veriore të Republikës së Kosovës.

Qëllimi i planifikimeve dhe koordinimeve me institucionet relevante, ka qenë dhe vazhdon të jetë krijimi i një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, mundësimi i ushtrimit të së drejtës së zyrtarëve të komunave si dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme, që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin në vend.

Situata ka kaluar e qetë dhe pa incidente, Policia e Kosovës falënderon të gjithë qytetarët pa dallim dhe njëherit vazhdon t’i inkurajojë që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, për çdo rast që ndërlidhet me sigurinë dhe rendin publik.

Lajme të ngjashme