Beteja për Prishtinën: Rama, Çeko dhe Ismaili të bindur në fitore më 12 tetor - NACIONALE

Beteja për Prishtinën: Rama, Çeko dhe Ismaili të bindur në fitore më 12 tetor

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Gara për Prishtinën do të jetë “beteja” me interesante e zgjedhje lokale të 12 tetorit. Nga nisa e fushatës zgjedhore partitë kryesore politike në vend fokusin kryesor e kanë te kryeqytetit i vendit.

Kandidatët e LDK-së, VV-së dhe PDK-së për kryetar të Prishtinës janë shprehur optimist për ditën e zgjedhjeve. Përparim Rama, Hajrullah Çeko dhe Uran Ismaili janë shprehur të bindur në fitoren e tyre më 12 tetor.

Në deklarimet e tyre, ata kanë treguar se në çka e bazojnë besimin e tyre për këtë fitore.

Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, i cili po garon edhe për një mandat, ka bërë me dije se besimin e tij e mbështet në punët që ka bërë në këto katër vite.

Mbrëmë në një intervistë në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Rama ka thënë se synon fitore pa balotazh.

Besoj fuqishëm që ne do ta fitojmë Prishtinën pa balotazh sepse e kemi treguar që kemi bërë një numër të madh të projekteve në kryeqytet, faktikisht janë aq shumë saqë ne kemi përfshirë në një uebsajt, Prishtina.work, ku secili qytetar mundet me hy dhe me i pa projektet e mëdha në të gjitha sferat në kryeqytet”, ka thënë ai, duke i lutur qytetarët që të vizitojnë këtë sajt.

Lus qytetarët që të hynë t’i shohin, jo vetëm në zonat qendrore të Prishtinës por edhe në zonat periferike pra në zonat rurale, po ashtu projekte të përfunduara dhe projekte në të cilat punohet. Pra të gjitha këto janë mundësi për qytetarët që të shkojnë dhe vetë të shohin punët e mëdha të cilat janë kryer në Prishtinë”, ka thënë Rama.

Të njëjtin optimizëm e ka shprehur edhe kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili.

Në Debat Plus, ai ka treguar se këtë besim e mbështet nga siguria në terren që merr nga qytetarët.

E kam një ndjesi të asaj çka e shoh në terren. Dhe po më lejohet me paragjyku që jam më se i sigurt që në këtë garë do të dal fitues. Dhe mendoj që ata që e kërkoj është një mbështetje qytetare dhe jo një mbështetje prej një partie të caktuar”, ka thënë Ismaili.

I bindur në fitoren e tij është shprehur edhe kandidati i VV-së, Hajrullah Çeko.

Në fillim të fushatës zgjedhore, kur kishte prezantuar listën e kandidatëve për asamble, ai kishte thënë se do të jetë fitues i garës së 12 tetorit.

Kjo është lista e fitores së përbashkët, që sjell dijen dhe përvojën e njerëzve të ndershëm, guximin e atyre që sfidojnë padrejtësitë dhe integritetin e atyre që nuk shiten e nuk blihen. Një listë që do ta kthejë qeverisjen e kryeqytetit në shërbim të shumicës, jo të pakicës së privilegjuar. Për Prishtinën tonë të barabartë, të gjallë dhe të drejtë!”, kishte shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Optimist për rezultate të mira më 12 tetor është shprehur edhe kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinë, Bekë Berisha, dhe kandidatja e PSD-së, Besa Shahini.

Lajme të ngjashme