Bërnabiq i reagon Stanos, ia përmend “marrëveshjet që ka shkelur BE-ja”
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar se Bashkimi Evropian ka shkelur “edhe një herë” Marrëveshjen e Brukselit, Marrëveshjen e propozuar nga BE-ja, pra Marrëveshjen e Ohrit dhe Aneksin e Zbatimit të saj.
Në një cicërimë në Twitter, Bërnabiq i ka reaguar me këto fjalë komenteve të zëdhënësit të Komisionit Evropian Peter Stano, i cili ka thënë se “BE-ja është në dijeni që Serbia ka votuar kundër kërkesës së Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës”.
Ndër të tjera ajo ka thënë se BE poashtu ka shkelur Kartën e Kombeve të bashkuara, Statutin e Këshillit të Evropës dhe Rezolutën 1244.
“Për informimin e partnerëve tanë të BE-së, Serbia merr parasysh edhe faktin se BE-ja edhe një herë ka shkelur drejtpërdrejt: Marrëveshjen e Brukselit, Marrëveshjen e propozuar nga BE-ja dhe Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, Statutin e Këshillit të Evropës, Kartën e OKB-së, Rezolutën 1244”, - ka thënë Brnabiq.
FYI to our partners from the EU: Serbia also takes note of the fact that EU, once again, directly breached all of the following: Brussels Agreement, EU-proposed Agreement & Implementation Annex from Ohrid, Statute of the @coe, UN Charter, UNSCR 1244. 1/2 https://t.co/7uazQRkKQM
— Ana Brnabic (@anabrnabic) April 25, 2023
Më tej kryeministrja e Serbisë ka shtuar se i pëlqen një pjesë nga deklarata e Stanos, ku ai përmend “logjikën e thjeshtë të negociatave”, se “çdo palë duhet të bëjë diçka për të marrë diçka”, por edhe kësaj deklarate Bërnabiq i ka reaguar me ironi pasi ka thënë se, “në realitet, Prishtina mori më shumë se diçka pa bërë asgjë. Aq shumë për 'logjikën e thjeshtë".