Bëhet i gjallë Feraj: Kërkon mbrojtjën e shumicës së pakicës serbe në veri
Hysamedin Feraj, këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, ka reaguar për vendimin e Listës Serbe, që t’i bojkotojë institucionët e Kosovës.
Feraj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se serbët në veri po i nënshtrohen njëfarë terrorizimi prej një pakice të saj.
Tutje, anëtari i partisë në pushtet, ka thënë se shumica e pakicës serbe duhet të mbrohen nga aktet vandalizuese e terrorizuese të një pakice të dirigjuar nga Beogradi.
Postimi i tij i plotë:
Pakica serbe në Veri të Mitrovicës i është nështruar njëfarë terrorizimi prej një pakice të saj:
Qytetarëve serbë, atyre që duan të integrohen e të jetojnë në përputhje me ligjet e vendit, ka ditë që po iu digjen makinat, po kërcënohen e shantazhohen nga individë dhe grupe serbe të mbështetur prej Vuçiqit.
Prandaj shumica e pakicës serbe duhet marrë në mbrojtje kundër akteve vandalizuese e terrorizuese të një pakice të dirigjuar nga Beogradi zyrtar.
Çka ndodhi sot në veri?
Lista Serbe ka mbajtur një mbledhje sot në orët e para të ditës së shtunë, ku u diskutua në lidhje me gjendjen aktuale në veri. Aty morën pjesë të gjithë liderët e Listës Serbe, por u panë edhe zyrtarë policorë të Kosovës nga veriu i vendit.
E një vendim i rëndësishëm, por i pritur, ka ardhur nga ky takim: Lista Serbe ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet e Kosovës.
"Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri"- theksoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit.
Ky takim i thirrur nga Lista Serbi vjen pas vendimit të institucioneve të Kosovës për ta pezulluar Nenad Gjuriqin, drejtor i policisë për rajonin e veriut, pasi i njëjti refuzoi ta zbatonte vendimin e Qeverisë Kurti për targat.
Rakiqi, kryetar i Listës Serbe, tregoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për targat në disa faza, i ka zhgënjyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Ata kanë thënë se Kosova ka të drejtë për zbatimin e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës, por se kjo duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale në Kosovë, i shkallëzuar në katër pjesë, i cili ka filluar të zbatohet më 1 nëntor, ka sjellë telashe në terren, pasi policët serbë e kanë refuzuar zbatimin e tij.