Begaj: Anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut dhe NATO është thelbësor
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se është thelbësor që Kosova të bëhet pjesë e kartës së Adriatikut dhe NATO-s.
Sipas “A2 CNN”, ai ka deklaruar se kjo është thelbësorë edhe për stabilitetin e rajonit.
Këto deklarata, Begaj i ka bërë gjatë konferencës së 27-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA- Karta e Adriatikut A5.
“Kjo konferencë është mbledhur në një moment shumë delikat në sigurinë botërore. Për Shqipërinë, anëtarësimi në NATO përbën një dëshmi të përkatësisë sonë në komunitetin Euroatlantik. Kjo nuk është thjesht për më shumë siguri, por edhe angazhim në këtë traktat. FA, gjatë këtyre viteve, kanë kontribuar në operacionet e NATO-s dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Rajoni ynë mbetet i brishtë ndaj ndikimeve të brendshme dhe të jashtme, të cilat mund të destabilizojnë paqen dhe stabilitetin e arritur. Historia nuk duhet harruar, ndryshe rrezikojmë të përsërisim gabimet. Besoj se përmes përpjekjeve të përbashkëta, ne jemi në gjendje të përballemi me këto sfida. Shqiptarët e rajonit janë një faktor konstruktiv dhe i moderuar, duke kontribuar në paqe, siguri dhe stabilitet. Në këtë rrugëtim është me rëndësi që të përfshihen edhe anëtarë të rinj, që dëshirojnë të anëtarësohen në iniciativën SHBA-Karta e Adriatikut dhe në NATO. Anëtarësimi i Kosovë në këtë kartë është thelbësor jo vetëm për Kosovën, por edhe stabilitetin e rajonit.” – ka thënë ai.