Befasi: Nagavci e falënderon Nacionalen për lajmin rreth spotit, mburret me 15 grante
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, besoni ose jo, e ka falënderuar Gazetën Nacionale për një raportim rreth spotit tashmë të famshëm të ministres, ku ajo tregon për ndarjen e 15 grante për profesorë. Ajo madje e ka shpërndarë lajmin tonë në llogarinë e saj në “Facebook”, për çka e falënderojmë.
Duke e shpërndarë linkun e Nacionales, Nagavci shkroi: “150 mijë euro për mbështetjen e mësimdhënies së bazuar në punë hulumtuese. Thirrja për aplikim në këto grante tashmë është publikuar, dhe qëndron e hapur deri sa të jepen 15 grante nga 10 mijë Euro secili.”
Më tej, ajo e falënderoi Nacionalen “që ka gjetur një mënyrë më shumë për ta shpërndarë thirrjen tonë”. “Suksese aplikantëve” – shkroi ajo në fund.
Ritheksojmë se Nacionale assesi nuk e ka kritikuar ndarjen e granteve për mbështetjen e mësimdhënies, por thjesht ka raportuar për spotin në të cilin shihet ministrja. Edhe ne u urojmë suksese aplikantëve.
Çka raportoi Gazeta Nacionale?
Spot "krinxh" nga Nagavci: Shikon në mikroskop, sillet në karrige, pastaj ia lëshojnë skriptën
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka publikuar një video-spot të shkurtër në rrjetin “Facebook”. Pamjet mund të ju ngjajnë me ndonjë reklamë të shamposë për flokë ose të bankave që ofrojnë kredi. Sidoqoftë, bëhet fjalë për diçka tjetër.
Përmes videos, Nagavci njoftoi për ndarjen e 150 mijë eurove si mbështetje për mësimdhënien e bazuar në punë hulumtuese.
“Të gjithë profesorët që kanë kontratë të rregullt pune me universitetet publike si staf akademik mund të fitojnë 10 mijë euro grant për ta aplikuar hulumtimin në procesin e punës” – shkroi ndër të tjera ministrja Nagavci.
Spoti nis me ministren gjoja duke shikuar diçka përmes mikroskopit. Në çast, ajo kthehet në drejtim të një kamere që shihet në spotin e incizuar nga kamera tjetër.
Dikush ia lëshon skriptën në një ekran të vogël dhe Nagavci fillon të lexojë, edhe pse përballë kamerës duket se po i thotë fjalët prej vetes.
Në spot shihet edhe një punëtor i organizatës ORCA të analistit Rron Gjinovci. Bëhet fjalë për Skord Retkocerin, i cili me finesë ia lëshon skriptën ministres duke e përdorur gishtin e mesëm të dorës së djathtë.