BE publikon Aneksin Zbatues të Marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës e Serbisë - NACIONALE

BE publikon Aneksin Zbatues të Marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës e Serbisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian ka publikuar Ankesin Zbatues të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Në shtojcën e publikuar, si nen i parë paraqitet angazhimi i të dyjave vendeve për respektimin e të gjitha neneve të marrëveshjes dhe detyrimeve që rrjedhin nga ajo.

“Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha Nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim,”- shkruhet në aneks.

Më tej, aty thuhet se Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit do të bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE.

“Palët vërejnë se menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Ankesi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për të ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë për të pasqyruar detyrimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks. Agjenda e Grupit Special të Kosovës për Normalizim do të pasqyrojë në mënyrë të barabartë obligimet e reja të Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks,"- shkruhet më tej.

Më tej në këtë aneks, jepen detaje të tjera për detyrimet e të dyja vendeve.

Bëhet e ditur se si pjesë e marrëveshjes, çështje urgjente është konsideruar miratimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur, si dhe zbatimi i nënit 7, më anë të së cilit Kosova fillon menjëherë negociatat në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për vendosjen e aranzhimeve dhe garancive specifike për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.

Në aneksin zbatues, tregohet gjithashtu se palët kanë rënë dakord për krijimin e një Komiteti të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditësh.

Ndërsa thuhet se BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditëve për të krijuar një paketë investimi dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë, bëhet e ditur se kjo nuk do të ndodhë pa zbatimin e të gjitha dispozitave të Marrëveshjes.

Nga Ankesi Zbatues njoftohet gjithashtu se Kosova dhe Serbia pajtohen të mos bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve dhe se të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

“Kosova dhe Serbia pranojnë se çdo mosrespektim i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, ky Aneks ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja,”- përfundon dokumenti.

Të gjitha pikat e Aneksit:

Ky aneks konstituon pjesë integrale të Marrëveshjes.

Kosova dhe Serbia plotësisht përkushtohen që të respektojnë të gjitha Paragrafet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe implementimi i të gjitha obligimeve respektive që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky aneks në mirëbesim.

Palët e kuptojmë se Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit do të bëhen pjesë integrale të proceseve respektive për hyrje në BE të Kosovës dhe Serbisë. Palët e kuptojnë se menjëherë pas adoptimit të Marrëveshjes dhe këtij aneksi, Lehtësuesi i BE-së do të nis procesin e rregullimit të standardeve të Kapitullit 35 për Serbinë prë të reflektuar mbi obligimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks. Agjenda e Grupit Special të Kosovës për Normalizim menjëherë do të reflektojë mbi obligimet e reja të Kosovës që rrjedhin nga marrëveshja dhe ky aneks.

Palët pajtohen për t’u pajtuar me Deklaratën mbi Persona të Zhdukur, të negociuar në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.

Për të zbatuar Nenin 7, Kosova i nis menjëherë negociatat brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja mbi artitjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive për të siguruar nivel të përshtatshëm vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë, në përshtatshmëri me marrëveshjet e dialogut siç janë përcaktuar nga lehtësuesi i BE-së.

Palët pajtohen të nisin një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditëve. Zbatimi i të gjitha provizioneve duhet të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues.

Për të zbatuar nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh për ta vënë një pako ndihmash financiare dhe investimesh për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë alokim nuk do të ndodh para se BE-ja të vendos që të gjitha provizionet e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjithë Nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.

Rendi i paragrafeve në Aneks është pa paragjykim mbi rendin e zbatimit të tyre.

Kosova dhe Serbia pajtohen që të mos bllokojnë zbatimin e asnjë Neni.

Të gjitha diskutimet e lidhura me zbatimin e Marrëveshjes do të zënë vend nën Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Kosova dhe Serbia e kuptojnë se çdo dështim për të respektuar obligimet e tyre nga Marrëveshja, ky Aneks apo Marrëveshjet e mëehrshme të dialogut do të kenë pasoja direkte negative për proceset e hyrjes së tyre në BE dhe për ndihmat financiare që marrin nga BE-ja.

Lajme të ngjashme