BE: Mbetemi të gatshëm që të heqim masat për Kosovën, në rast të progresit të mëtejmë
Ministrat e Bashkimit Evropian kanë diskutuar të martën në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, për paketën e zgjerimit të bllokut evropian. Pjesa kryesore e konkluzave që i kushtohet Kosovës fokusohet në situatën e sigurisë në veri dhe dialogun me Serbinë. Këshilli i BE-së shpreh shqetësimin e thellë për veprimet e njëanshme nga të dyja palët, duke përfshirë dorëheqjen kolektive të serbëve të Kosovës nga institucionet dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, veprime që kanë shkaktuar tensione shtesë.
Këshilli planifikon të dënojë ashpër sulmet e dhunshme të protestuesve serbë të Kosovës ndaj trupave të KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave më 29 maj 2023. Gjithashtu, insiston në zhvillimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës dhe kthimin e serbëve në institucionet e vendit pa kushte paraprake.
“Këshilli është thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, përfshirë edhe atë të sigurisë. Disa veprime të njëanshme nga Kosova dhe Serbia, sikur edhe dorëheqja kolektive e serbëve të Kosovës nga institucionet, dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, kanë shtuar edhe më shumë tensionet”, thuhet aty..
Në lidhje me Serbinë, Këshilli i BE-së thekson thellëgjegjësiitë për situatën në veri të Kosovës dhe fton të dyja palët të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme. Gjithashtu, reagon ndaj retorikës nxitëse dhe kërkon përmbajtje nga të dyja palët për të shmangur tensionet.
“Këshilli pret nga Kosova dhe Serbia që të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës, e cila do të garantonte siguri dhe demokraci përfaqësuese për të gjithë qytetarët”, thuhet më tej.
Aty më tej thuhet se Këshilli do të shprehë keqardhje për mungesën e implementimit nga të dyja palët të Marrëveshjes dhe aneksit për zbatimin e saj, sikur edhe çështjeve tjera të arritura në dialog.
“Kërkojmë nga Kosova që në tërësi dhe pa vonesa tjera t’i implementojë ato. Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këshilli mirëpret gatishmërinë e Kosovës dhe Serbisë për të pranuar draftin e paraqitur nga lehtësuesi i BE-së, që nënkupton se puna e mëtejme duhet të bëhet në bazë të tij”, thuhet në tekst.
Lidhur me masat ndaj Kosovës, të vendosura për shkak të “mungesës së hapave të vendosur për të shtensionuar situatën në veri”, shprehet gatishmëria që ato masa të hiqen, në rast se do të ketë përparim në përmbushjen e kërkesave.
“Këshilli mirëpret ndërmarrjen e hapave drejt zbatimit të disa kërkesave të BE-së. Këshilli rikujton se BE-ja mbetet e gatshme që të heqë masat, në rast të progresit të mëtejmë në përmbushjen e kërkesave ekzistuese”, thuhet në tekst.