Bastisje në ministrinë e tij, Faton Peci ndodhet në Kuvend
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka arritur në Kuvendin e Kosovës kur për pak pritet të vazhdojë seanca konstituive.
Peci është parë në sallë derisa kësaj radhe nuk është parë te oborri i Kuvendit, ku zakonisht, këto javë është prononcuar para gazetarëve.
Theksojmë se zyrtarët policorë kanë hyrë sot në Ministrinë e Bujqësisë e cila drejtohet nga Faton Peci.
Gazeta Nacionale raportoi ekskluzivisht për ndërhyrjen e Prokurorisë Speciale në ministrinë e Faton Pecit.
Nacionale ka mësuar se rasti ka të bëjë me kontratën publike ‘Funksionalizimi i objekteve për përpunimin e produkteve shtazore’ e arritur më 10.01.2025.
Nënshkrimi i kësaj kontrate nga ministri Peci është vlerësuar si skandal. Kjo pasi kontrata në fjalë nuk është nënshkruar në përputhje me ligjin.
Tashmë, edhe Prokuroria Speciale e Kosovës e ka konfirmuar se po zhvillon aksion ndërlidhur me Ministrinë e Bujqësisë.
Prokuroria ka bërë të ditur se dyshimet janë pas raportimeve për fabrikën e mbetjeve shtazore.
“Ju njoftojmë se Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është duke zhvilluar bastisje në katër lokacione. Bastisjet po zhvillohen mbi dyshimet per Fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës” - ka thënë Nora Luta, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale.