Basha mbetet vetë, ia kërkojnë dorëheqjen
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po kalon ditët më të vështira politike.
Pas humbjes së thellë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, Partia Demokratike është renditur si partia e tretë, pas Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila në këto zgjedhje ishte bashkuar me lëvizjen e Sali Berishës, liderit historik të PD-së.
Pritej se humbja e zgjedhjeve të 6 marsit ishin treni i fundit për Bashën, por si duket nuk është kështu.
Analistët politikë në Shqipëri, me të drejtë, para zgjedhjeve shtronin pyetjen tashmë të ripërsëritur: A do të japë Basha dorëheqje në rast të humbjes në zgjedhjet e pjesshme?
Në horizont shenjat nuk janë aspak të tilla.
Në deklarimin e tij të parë për medie, pas humbjes së zgjedhjeve, ai ka thënë se nuk ka humbur asnjë palë zgjedhje.
Ai ka pranuar përgjegjësinë për këto zgjedhje, por ka refuzuar të jap dorëheqje.
"Së pari dua që procesi të përfundojë dhe u bëj thirrje numëruesve që të vazhdojnë deri në fund. E kam bërë të qartë që 6 marsi ishte anomali e një anomalie, ishin zgjidhjet moniste të qershorit, që 4 kryebashkiakët monistë ishin me rekorde kriminale. Në këto kushte ku nuk ka asnjë reflektim, mendoj se shumica dërrmuese e shqiptarëve e kanë kuptuar nevojën për një reformë të thellë zgjedhore. Nuk ka shqiptar që nuk e kupton që 6 marsi është një anomalitet. Jam i gatshëm të jap nga vetja ime për të vazhduar dhe për të udhëhequr PD-në, dhe për të mos realizuar asnjë skenar të regjimit. PD nuk është pronë personale. Unë nuk kam humbuar asnjë garë në jetën time. Reformë zgjedhore për qytetarët, reflektimi i brendshëm që PD të jetë hapësira ku shqiptarët të thonë mendimin e tyre dhe të gjejnë zgjidhje për problemin e tyre, dhe këto zgjidhje do t’i kthej në realitet. PD-së iu mohuan komisionarët. Aleanca e Non Gratave kërcënoi bashkë me bandat komisionarët vendas, ne kemi dërguar në SPAK për Bashkinë e Shkodrës, Dibrës dhe Rrogozhinës, e ndërsa kemi paditur më herët Vorën, për mospërmbushje të detyrave.", - tha Basha ndër tjerash.
Humbja e 6-të palë zgjedhjeve, ka shtuar presionin për të lëshuar rrugë ndaj kryetarit të PD-së.
Deri me tani, shumica e grupit parlamentar të PD-së, ia kanë kërkuar dorëheqjen, ndërsa disa janë tërhequr nga pozitat që mbajnë në parti.
Nënkryetarja e kësaj partie, Grida Duma, pas dorëheqje së saj nga pozita e ka kritikuar ish-shefin e saj. “Partia Demokratike e Shqipërisë është në ditët më të vështira, traumat e humbjeve të njëpasnjëshme nuk po rikuperohen sepse Lulzim Basha i përdor dhe negocion që dështimet e Partisë Demokratike t’i kthehen në fitime të tij. Pasi shumica e grupit parlamentar i kërkoi me maturi politike të ndërmarrë akte të përgjegjshme dhe të japë dorëheqjen, Lulzim Basha përdori një pakicë të zhgënjyerish për të goditur deputët, më të votuarit dhe më përfaqësuesit e Partisë Demokratike”, ka shkruar ajo në profilin e tij në “Facebook”.
Ajo e ka quajtur Bashën një dështak. “Fakti që Lulzim Basha nuk largohet edhe pasi shumica e grupit parlamentar i kërkoi dorëheqjen na kërkon të gjithëve vendimmarrje për shpëtimin e demokratëve të sakrifikuar një dekadë. Megjithëse personalisht nuk kam asnjë përgjegjësi në vendimarrje dhe ia kam shkruar e lënë të dokumentuara vendimet e dëmshme sot deklaroj që jap dorëheqjen si Nën/Kryetare e Partisë Demokratike, duke qenë ky vetëm një prej vendimeve të domsdoshme për demokratët. Partia Demokratike nuk mund të jetë humbëse se duhet që dështaku të fitojë e përfitojë!”, ka shkruar ajo.
Më herët, dorëheqje nga partia kishte dhënë edhe Agron Gjekmarkajt.
Edhe më i ashpër me Bashën ka qenë deputeti tjetër i PD-së, Tomorr Alizoti. “Tani unë me Lul Bashën nuk merrem më se e konsideroj njeri psiqik. Nuk është njeri normal ose e luan këtë rol ose është i tillë. Me këtë rezultat të dalësh i treti, pas shumë e shumë provash politike. Që mund të jetë njeriu i vetëm në univers që ka kaq shumë shanse që i provon dhe nuk i fiton. Mendon se ja kemi ne fajin, jo more zotëri janë faktet që duhet të hapesh të marri frymë”, ka thënë ai në emisionin Opinion.
Njeriu që po akuzohet vazhdimisht për marrëveshje të fshehta me Edi Ramën, ka prapa vetes një histori jo edhe aq të mirë sa i përket garave zgjedhore.
Basha, në fakt fitoi përballë kryeministrit aktual në zgjedhjet lokale të kryeqytetit në vitin 2011, në një proces të shumëkritikuar. Kjo, pasi Basha fillimisht i humbi ato për 10 vota. Megjithatë, pak më vonë në tavolinë i fitoi për më shumë se 80 sosh, me ç'rast u ngjallën kritika të shumta për KQZ-në, duke aluduar në atë se rezultati u manipulua.
Ai raportohet të ketë qenë triumfi i vetëm i Bashës kundrejt Ramës, edhe pse nën aromën e spekulimeve. Kjo duke iu referuar edhe faktit se Partia Demokratike atëbotë ishte në pushtet, që më pas doli të jetë edhe mandati i fundit, të paktën deri më tani.
Më 2013, Basha pësoi "fiasko" në Tiranë. Në zgjedhjet e radhës, votimet për pushtetin qendror të 2015-ës, ai garoi për herë të parë si shef i opozitës dhe kryetar i Partisë Demokratike.
Në këto zgjedhje, PD mori vetëm 15 bashki, duke humbur totalisht Tiranën.
Në vitin 2017, të gjitha partitë hynë si të vetme. Pra, PS nuk e kishte mbështetjen parazgjedhore të LSI-së. Fatkeqësisht për Bashën, kjo s'ishte e mjaftueshme. Ai humbi zgjedhjet, dhe me një rezultat që e 'detyroi' Ramën ta drejtonte i vetëm ekzekutivin.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2019, PD nuk mori pjesë, teksa në ato të 25 Prillit të vitit të kaluar, Ramës iu konfirmua mandati i tretë, respektivisht humbja e dytë e Bashës në garat nacionale, duke hequr këtu nga numërimi ato lokalet.
Ditëve, javëve apo muajve në vijim, priten zhvillime të reja brenda përbrenda partisë më të vjetër në Shqipëri, në atë që njihet si epoka e pluralizmit politik.