Ballkani Perëndimor temë e rëndësishme në Davos, vëmendja te raportet Kosovë-Serbi
Davosi është kthyer në adresën e shumë liderëve ndërkombëtarë, nga Evropa e deri te Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Forumi i përvitshëm që mbahet në Davos të Zvicrës, ka grumbulluar atje udhëheqësit e pothuajse të gjitha shteteve perëndimore.
Megjithatë, temat e Ballkanit Perëndimor, e me focus dialogun Kosovë-Serbi, duket se kanë marrë një vëmendje të madhe.
Kjo dëshmohet qysh nga një takimi i mëngjesit që pati emisari i BE-së, Miroslav Lajçak me ndihmëssekretarin amerikan për çështje evropian, James O’Brien.
Lajçak ka thënë se është rikonfirmuar që SHBA-ja dhe BE-ja janë plotësisht në një vijë për të ardhmen e Ballkanit.

“Nisa javën në Davos me ndihmëssekretarin amerikan, Jim O’Brien. E rëndësishme të kemi këtë bisedë për Ballkanin pikërisht në fillim të vitit. Ne duam që ta shohim rajonin teksa lëvizë përpara për të mirën e qytetarëve të vet. Është mirë të konfirmojmë se jemi plotësisht në të njëjtën faqe”, ka shkruar Lajçaku në Twitter.
Dje, zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjithashtu pati një takim me emisarin Lajçak.
Për takimin me Bislimin, Lajçak tha se është diskutuar për gamë të gjerë temash të dialogut dhe pritjen e avancimit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. “Jemi pajtuar që zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit është urgjent”, ka shkruar ai.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se në takim me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak kanë diskutuar për çështje që janë të lidhura me dialogun, porse e ka ngritur si temë edhe çështjen e pasaportave të lëshuara nga Serbia për serbët që jetojnë në Kosovë.
Ai ka thënë se shtyrja përpara e propozimit të Komisionit Evropian për heqjen e vizave për poseduesit e këtyre pasaportave do ta dëmtojë rëndë procesin e dialogut dhe integrimin e serbëve.

“U takuam sot në Vjenë me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, për të diskutuar për çështje të lidhura me dialogun. U fol për nevojën e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energjinë dhe çështjet e lidhura me lëvizjen e lirë, te letra e Beogradit për tërheqjen nga marrëveshje. Janë ngritur po ashtu çështje të tjera që lidhen me urgjencën e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë. Theksoj se shtyrja para e propozimit për njohjen e pasaportave të paligjshme KU të lëshuara nga Serbia, ndikon negativisht në procesin integrues dhe dëmton rëndë dialogun”, ka shkruar Bislimi në platformën “X”.
Kryeministri Albin Kurti në prag të nisjes së Forumit Ekonomik Botëror në Davos, në një intervistë ekskluzive për RTK-në, ka theksuar se prioritet i takimeve bilaterale do të jetë siguria e Kosovës dhe mos shkelja e marrëveshjeve nga ana e Serbisë.
“Natyrisht që për neve prioritet është siguria e Kosovës, e kufijve të saj. Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi vjen së pari prej zbatimit e mos shkeljes së marrëveshjes bazë e së dyti nëpërmjet sigurisë ligjore, që kjo marrëveshje nuk do të shkelet e unë besoj se garancë për këtë është pikërisht nënshkrimi i saj”, ka thënë Kurti për RTK-në.
Tutje i pari i ekzekutivit kosovar ka konfirmuar se do të ketë takim me zyrtarin e lartë nga Departamenti i Shtetit Amerikan, James O’Brain.
“Ka mundësi që me presidentin e Serbisë do të jem në një panel, ndërkaq nesër do të kem takim me zyrtarin e lartë nga Departamenti i Shtetit Amerikan, James O’Brain, i cili e njeh Kosovën që prej tri dekadash”, ka deklaruar ai.