Bajrami navigon hilet e pushtetit në pretendimet për "rritje ekonomike përgjatë katë viteve" - NACIONALE

Bajrami navigon hilet e pushtetit në pretendimet për "rritje ekonomike përgjatë katë viteve"

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në një deshifrim të rrëfimit qeveritar për ngritjen e mirëqenies së qytetarit gjatë këtij mandati qeverisës, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, nagivoi nëpërmes logjikës përdredhëse të pushtetit për të arritur në konkluzione se gjatë tre vitet e fundit 'Kosova ka shënuar rritje ekonomike të paprecedentë.'

Gjatë një paraqitje në "Rubikon" të Klan Kosovës, Bajrami e nisi fillim-e-fund leximin e prirjeve ekonomike që nga viti 2020, kur rritja ra në -5.3 për qind mes kaosit global të shkaktuar nga pandemia Covid-19.

Pandemia i detyroi qeveritë në mbarë botën të miratojnë masa drastike për të stabilizuar ekonomitë e tyre dhe Kosova nuk ishte përjashtim. Mes një sërë masash, Kosova lejoi në atë botë edhe tërheqjen prej 10 për qind nga Trusti Pensional, me qëllim mbështetjen e bizneseve dhe fillimin e rimëkëmbjes ekonomike.

Bajrami shpjegoi se bumi i ringjalljes ekonomike të vitit pasues (2021) ishe pasojë e atyre masave, duke u përkthyer në një rritje ekonomike prej 10.7 për qind.

Nisur pikërisht nga ky kontekst, deputetja vuri theksin në hilën e pushtetit të cilët e integruan rritjen ekonomike të 2021-ës në mesataren e tri viteve të fundit.

“Nuk ka rritje 170 për qind të ekonomisë. Rritja ekonomike në vitin 2020 – për shkak të pandemisë – kemi pasë rënie ekonomike -5.3 për qind. Në vitin 2021, për shkak të bumit postpandemik, por edhe për shkak të politikave në atë kohë. Mos harroni që i kemi liru 200 milionë euro të Trustit dhe këto e kanë pasur njëfarë ndihmë, pavarësisht kritikave. Po të mos ishin ato 200 milionë euro në qarkullim, ne nuk do ta kishim pasur kaq të lehtë rimëkëmbjen ekonomike.” – tha Bajrami.

Ajo sqaroi më tej se, përveç një rënie drastike të rritjes ekonomike në vitin 2022 dhe 2023, një tjetër indikator i frikshëm ishte inflacioni i cili arriti kulmin në 11.6 për qind gjatë 2022-ës.

“Në vitin 2022, rritja ekonomike ishte 4.2 për qind. Në vitin 2022, inflacioni është 11.6 për qind, dhe në vitin 2023 4.9 për qind. Këta kur dojnë me paraqit shifra të mëdha thonë: ‘ekonominë e kemi pasur 7 miliard dhe e kemi bërë 10 miliardë. S’llogaritet kështu. Rritja ekonomike nuk llogaritet kështu sepse 230 milionë euro vijnë prej inflacionit.” – deklaroi deputetja.

Bajrami iu kundërpërgjigj edhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili krahasoi dje sjelljet e opozitës me ato të shushunjave, autorësinë e të cilit postim qytetarët e vunë në dyshim.

Deputetja kujtoi se Murati, që në fillim të marrjes së pozitës, ka rritur pagat e kryeministrit, ministrave, zv.ministrave, këshilltarëve politikë, asistentave dhe të shoferëve.

“Ministri i Financave i cili në fillim të mandatit ia ka rritur pagën vetës. Ka pasë një vendim të ish-kryeministrit Haradinaj i cili i ka rrit pagat në atë kohë për kabinetin qeveritar. Me të ardhur në pushtet kryeministri Kurti, në bashkëqeverisje me LDK-në, pas dy jave e ka shfuqizu vendimin e zotit Haradinaj dhe i ka ulë pagat. Kur kanë ardhur në pushtet për të dytën herë, pikërisht në muajin e parë ai i ngrit pagat".

"D.m.th., Hekuran Murati që fliste dje për shushunjat, ai e ka ngritë në fillim të mandatit pagën e vetë me rreth 45 për qind. Ka ngritur pagën e kryeministrit, ministrave, zv.ministrave, këshilltarëve politikë, asistentave dhe të shoferave. Të komplet stafit. Dhe sot, kur jemi në fushatë elektroale po thotë; Hajde t’i rrisim pensionet për nga 20 euro.” – tha Bajrami.

Lajme të ngjashme