Babai hyri t'i shpëtojë, vdiqën të tre: Si ndodhi rasti tragjik në Kavajë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në plazhin e Vilë-Bashtovës në Kavajë. Babai Elvis Halilaj, 50 vjeç dhe 2 djemtë e tij të mitur, të moshave 13 dhe 15 vjeç janë mbytur në det teksa kanë qenë duke notuar.
TV Klan raporton se sipas informacioneve paraprake, dallgët dhe era e fortë kanë ndikuar në ngjarjen e rëndë me 3 viktima.
Klan ka mësuar se të tre po laheshin në një distancë të largët. Ka qenë babai, i cili fillimisht ka parë që fëmijët e tij po kërkonin ndihmë. Kur ju është afruar, nuk ka mundur që të ju vijë në ndihmë për shkak të dallgëve të forta dhe për pasojë ka pësuar të njëjtin fat.
Disa dëshmitarë thonë se kanë dëgjuar babain duke kërkuar ndihmë, por nuk kanë mundur që të hyjnë në det për shkak të dallgëve të mëdha.
Babai dhe djemtë e tij nga Tirana kishin zgjedhur plazhin e Vilë-Bashtovës për të pushuar.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.