Babai dhe dy djemtë e tij: Krejt çka dihet për plagosjen e tre personave në Pejë
Pesë persona janë plagosur në dy raste të mërkurën mbrëma, tre në Pejë e dy në Prizren. Kosova është tronditur nga këto raste. Në Pejë janë plagosur tre persona, ku njëri prej tyre është në gjendje më të rëndë. Të gjithë të dyshuarit janë në kërkim policor. Krejt çka dihet?
Tre persona janë plagosur të mërkurën mbrëma në Pejë. Sipas raportimeve të medieve ngjarja raportohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshjeje për shit-blerjen e një veture.
Gjithashtu raportohet se të tre të plagosurit i përkasin të njëjtës familje, përkatësisht babai me dy djemtë.
Policia ka arritur të arrestojë një të dyshuar për këtë plagosje për veprën penale dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprës penale, ndërsa tjetër mbetet në kërkim policor.
Po ashtu, Policia e Kosovës të enjtën, ka shpallur në kërkim të dyshuarin për “vrasjen në tentativë”.
I dyshuari është Agron Gashi nga Peja.
“Policia e Kosovës - Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, bazuar në ligj për publikimin e fotos me shënime tjera të personit të kërkuar më autorizimin e Prokurorisë themelore nё Pejё, me qëllim lokalizimin dhe rrjedhimisht arrestimin e tij, lëshon: Kërkesë për bashkëpunim me qytetarët. Personi i kërkuar është: • Agron (Mentor) GASHI i lindur me 19.11.2002 nё Pejë.”
“I pandehuri është i kërkuar për veprën penale: -“ Vrasje e rёndё nё tentativё” e cila ka ndodhur me datё 22.05.2024 rreth orёs 21:25, nё rrugën Bekim Berisha, nё Pejё, i dyshuari ёshtё recidivist i veprave penale.” – thuhet në njoftimin e Policisë.
“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.” – thuhet në njoftim.
Sipas spitalit të Pejës, gjendja e njërit nga të plagosurve është e rëndë.
“Janë të pranuar tek ne persona, janë duke ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore, gjendja e njërit prej të plagosurve është e rëndë. Tre personat e plagosur janë nisur për në QKUK.” – kanë bërë të ditur nga Spitali i Pejës.
Rasti në Prizren
Edhe në Prizren të mërkurën në mbrëmje është raportuar për plagosjen e dy personave.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, ka njoftuar se një person është plagosur me armë zjarri ndërsa një tjetër me mjete të forta në fshatin Gjonaj të Prizrenit.
“Sot me datë: 22.05.24 rreth orës 19:40, polica ka pranua informatë për një plagosje me armë zjarri në fshatin Gjonaj të Prizrenit. Njesitet relevante të policisë menjëherë i’u kanë përgjigjur rastit. Në këtë incident janë të plagosur dy persona, njëri me armë zjarri dhe tjetri me mjete të forta dhe të njëjtit janë dërgua për trajtim shëndetësor për në Spitalin Rajonal të Prizrenit”, ka deklaruar Gashi.
Sipas tij, të dyshuarit janë persona të njohur për Policinë e Kosovës, por që deri më tani nuk janëe kapur.
“Personat e dyshuar janë të njohur për policinë e Kosovës dhe njesitet policore janë në kërkim të tyre. Lidhur me këtë të gjitha veprimet hetimore nga njesite relevante të policisë janë në koordinim me prokurorin e shtetit“, ka thënë Gashi.