BE-ja tregon për Nacionalen se çfarë do të diskutohet në takimin e 13 majit në Bruksel - NACIONALE

BE-ja tregon për Nacionalen se çfarë do të diskutohet në takimin e 13 majit në Bruksel

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një takim tjetër do të zhvillohet këtë të premte në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë nga zëvendëskryeministri Besnik Beslimi dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq.

Zyra e BE-së për gazetën Nacionale ka treguar se të dyja palët do të tentojnë të gjejnë një zgjidhje veçanërisht për targat.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE do të vazhdojë të premten më 13 maj me një takim në nivelin e kryenegociatorëve në Bruksel. Qëllimi është vazhdimi i diskutimeve për gjetjen e një rruge përpara për një sërë çështjesh dhe përgatitja e takimit të ardhshëm të nivelit të lartë të Dialogut. Të gjitha temat e diskutuara në takimin e fundit të kryenegociatorëve në prill do të jenë sërish në axhendë, veçanërisht targat, energjia dhe personat e zhdukur”, është thënë në përgjigjen e Zyrës së BE-së për Nacionale.

Takimin e fundit të cilin e patën palët në Bruksel më 22 prill, nuk arritën të gjejnë marrëveshje për targat.

Pas këtij takimi, Bilsimi dhe Petkoviq kanë fajësuar njëri-tjetrin për dështimin e marrëveshjes përfundimtare.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pati akuzuar Serbinë se nuk ka pasur gatishmëri për një marrëveshje. “Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe”, kishte thënë Bislimi.

Ndërsa kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka fajësuar Kosovën se nuk ka qenë e gatshme për asnjë propozim gjatë gjashtë muajve sa kanë funksionuar grupet punuese për targat.

“Marrëveshja e nënshkruar më 30 shtator është ende në fuqi. Duhet të jeni të qetë. Askush nuk duhet të shqetësohet. Marrëveshja për regjimin e letrave ngjitëse është ende në fuqi. Derisa të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme në një nivel të lartë, regjimi i letrave ngjitëse do të vazhdojë”, kishte thënë Petkoviq pas takimit.

Madje, Petkoviq nuk kishte pranuar që të ketë një afat prej 30 ditësh për të gjetur një zgjidhje.

Para gazetarëve, ai kishte thënë nëse nuk ia kanë dalë të pajtohen për gjashtë muaj, nuk do të mund ta bëjnë as për 30 ditë.

Më 30 shtator të vitit të kaluar në Bruksel është arritur një marrëveshje e përkohshme lidhur me targat, me kusht që një marrëveshje përfundimtare të arrihej brenda gjashtë muajsh.

Sipas marrëveshjes së përkohshme, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që automjetet e dy vendeve, gjatë qarkullimit në territoret e njëra-tjetrës, t’i mbulojnë me letra të bardha ngjitëse simbolet shtetërore në targa.

Vendosja e masës së reciprocitetit në targa nga qeveria e Kosovës vitin e kaluar, kishte shkaktuar tensione në pjesën veriore të vendit. Vendimi i qeverisë tani detyronte automjetet me targa të Serbisë që hynin në Kosovë të vendosin targa të përkohshme, ashtu siç bënin automjetet e Kosovës që hynin në Serbi. Kjo kishte nxitur serbët që t’i bllokonin rrugët me mjete të ndryshme. Për t’i evituar tensionet kishte ndërhyrë BE-ja, duke i thirrur palët në Bruksel.

Lajme të ngjashme