Azerbajxhani e çon Armeninë në arbitrazh për shfrytëzimin e burimeve të energjisë
Azerbajxhani ka paraqitur rast në arbitrazh kundër Armenisë sipas Traktatit për Energji, marrëveshje ndërkombëtare për bashkëpunim ndërkufitar, për shfrytëzim të burimeve energjetike në rajonin e Karabakut, që kontrollohej nga armenët për tri dekada.
“Në një Njoftim Arbitrazhi dërguar Armenisë, Azerbajxhani kërkon dëmshpërblim për shkeljen e të drejtave sovrane të Azerbajxhanit nga Armenia për burimet e tij të energjisë gjatë pushtimit ilegal gati 30-vjeçar të territorit të Azerbajxhanit nga viti 1991 deri më 2020”- thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Azerbajxhanit.
Sipas kësaj ministrie, Armenia ka shkelur disa dispozita të Traktatit për Energji si dhe parime themelore të ligjit ndërkombëtar përmes mohimit të qasjes së Azerbajxhanit në burimet e veta të energjisë në rajon, duke i shfrytëzuar burimet e Azerbajxhanit për përfitime të veta dhe duke e privuar Azerbajxhanin nga zhvillimi i mëtejmë i burimeve të veta të energjisë, raporton agjencia “Anadolu”.
Në deklaratë shtohet se nismat e Armenisë për këto qëllime e përfshijnë shfrytëzimin e burimeve dhe objekteve të hidro-energjisë në rajonin e Karabakut si dhe ndërtimin e të paktën 37 objekteve shtesë të paautorizuara për hidrr-energji.
Azerbajxhani e akuzon Armeninë edhe për shfrytëzimin e burimeve të thëngjillit, “përmes ndërtimit të infrastrukturës shtesë të energjisë në territorin e Azerbajxhanit” dhe për dëmtimin e objekteve ekzistuese.
Marrëdhëniet mes dy republikave ish-sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene i mori nën kontroll Nagorno-Karabakut dhe shtatë rajone ngjitur me të, territore të njohura nga komuniteti ndërkombëtar si pjesë e Azerbajxhanit.
Në vjeshtën e vitit 2020, gjatë luftimeve të ashpra që zgjatën 44 ditë, Azerbajxhani riktheu nën kontroll një pjesë të konsiderueshme të Nagorno-Karabakut. Një marrëveshje e paqes është nënshkruar me ndërmjetësimin e Rusisë dhe zbatimi i saj vëzhgohet nga paqeruajtësit rusë.
