Avokati i Naser Pajazitajt: Do t’i kërkojmë 1 milion euro dëmshpërblim - NACIONALE

Avokati i Naser Pajazitajt: Do t’i kërkojmë 1 milion euro dëmshpërblim

3 vjet më parë

nga NACIONALE

I akuzuari kryesor për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, Naser Pajazitaj, do t’i kërkojë 1 milion euro dëmshpërblim për kohën e kaluar në burg.

Avokati i Naser Pajazitajt, Ahmet Tahiri, i ka thënë Expressit se do të kërkojnë dëmshpërblim 1 milion euro për klientin e tij për tërë kohën e kaluar në burg.

“Po, patjetër që do të pasojë kërkesa për dëmshpërblim. Naserit përveç linçimeve dhe bullizimeve të fëmijëve të tij, i janë humbur 8 vite të jetës së tij në burgje. Ne do t’i kërkojmë 1 milion euro”, ka pohuar Tahiri.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë mori vendimin për shfajësimin e Pajazitajt nga akuza e vrasjes tre javë më parë, por aktgjykimi u publikua sot në faqën e Gjykatës Suprene.

Pajazitaj është liruar nga akuza për vrasje pas shtatë vjetësh të kaluara prapa grilave. Gjykata Supreme ka publikuar sot aktgjykimin për lirimin e 63-vjeçarit, ku thuhet se nuk ka prova të drejtpërdrejta që argumentojnë fajësinë e tij.

“Në këtë çështje juridiko penale, nuk ka prova të drejtpërdrejta që argumentojnë fajësinë e të dënuarit, por vetëm indicie dhe se skema e ngjarjes është ndërtuar duke u bazuar në prova rrethanore, duke u ndërlidhur hallkat e zinxhirit të ngjarjes. Për këtë arsye, për gjykimin e një rasti bazuar në prova rrethanore, gjithmonë është i nevojshëm standardi i vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe i cili përmbushet vetëm atëherë kur përfundimi i nxjerrë nga këto prova është i vetmi përfundim i arsyeshëm që mund të nxjerrët prej provave të paraqitura. Pra, duhet të sigurohen prova që të mbyllet qarku, përkatësisht të përjashtohet mundësia që personat e tjerë të jenë kryes të veprës penale. E në rastin konkret, ky qark nuk është mbyllur.” – thuhet në aktgjykimin e Supremës.

I akuzuari kryesor për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, Naser Pajazitaj, të enjten e 6 prillit është liruar nga burgu. Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Më pas, Apeli e dënoi me 35 vjet burgim.

Nga familja e Donjetës së ndjerë janë shprehur të zhgënjyer me vendimin e Gjykatës Supreme. Nëna e Donjetës, Lumnije Pajaziti në një intervistë për Periskopin është shprehur se ky vendim është i papranueshëm për familjen.

“Drejtësia edhe njëherë na vrau neve edhe Donjetën për së vdekuri”, thotë ndër të tjera nëna e Donjetës. Këtu vetëm korrupsioni, ose njoftësia, ose diçka është në pyetje. Ne përmes mediave e kuptuam se u lirua. Ky vendim ka qenë për ne katastrofë. Një vendim shumë i rëndë. Një person që dënohet me burg të përjetshëm disa herë. Kjo që e liruan, qysh mujti Gjykata Supreme me e marrë një vendim kaq të padrejtë, kur ka pas fakte të mjaftueshme për mos me ardhë deri tek lirimi. Supremja pse nuk e mori vendimin herën e parë, po e ktheu në rigjykim, e tash e liroi krejt. Çfarë drejtësie është,"- ka rrëfyer nëna e Donjeta Pajazitajt.

Në anën tjetër Naser Pajazitaj në një intervistë të shkurtër për Periskopin ka thënë se akuzat që i janë bërë kanë qenë për turp. Pajazitaj thotë se kjo ngjarje ia ka shkatërruar familjen.

“As që kam të bëj me të. As që di ndonjë gjë rreth kësaj vrasjeje. Unë është e vërtetë që tan verën kamë udhëtua drejtë asaj bjeshke... ne i punojshim do punë në bjeshkë, do vikendica. Atë ditë s’kam pas të bëjë apsolut për viktimën, as që e kam pa. Pas 2-3 ditë unë e kam kuptu që është e zhdukne. Kam qenë i bindun se drejtësia ka me dalë ne shesh. Për ka paraja e këto, këta vetëm koriten,”- ka deklaruar Pajazitaj.

Lajme të ngjashme