Avancon procesi i largimit të kryetarëve në veri: KQZ-ja pranon tri kërkesa, Hovenier kërkon zbatimin e udhëzimit - NACIONALE

Avancon procesi i largimit të kryetarëve në veri: KQZ-ja pranon tri kërkesa, Hovenier kërkon zbatimin e udhëzimit

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Inicimi i procedurave për largimin e kryetarëve të komunave të Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut dhe Zubin Potok ka avancuar.

Grupi nismëtar ka njoftuar zyrtarisht për kërkesën ndaj kryesuesve të kuvendeve komunale të Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potok.
Këta të fundit kërkesën në fjalë tashmë e kanë dorëzuar në KQZ.

Deri me tani vetëm kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zveçanit nuk e ka dorëzuar ndonjë kërkesë në KQZ.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar për gazetën Nacionale se dje KQZ-ja ka pranuar tri kërkesa të ndara nga kryesuesit e kuvendeve komunale të Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potok.

Ai ka thënë se përmbajtja e kërkesave është e njëjtë.

Elezi ka bërë me dije se kryesuesit e këtyre kuvendeve kanë kërkuar informatat zyrtare për anëtarët e grupit inicues se a janë votues të komunave përkatëse.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar në adresën zyrtare tri kërkesa të ndara nga Kryesuesit e Kuvendeve Komunale për Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok. Përmbajtja e këtyre tri kërkesave është e njëjtë. Së pari, të tre Kryesuesit e Kuvendeve Komunale kanë kërkuar nga KQZ, që t’i ofrojmë informatat zyrtare për anëtarët e grupit inicues se a janë votues të komunave përkatëse. Së dyti, të njëjtit kanë kërkuar që t’i ofrojmë informatat lidhur me numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20%”, ka thënë Elezi.

Ai ka treguar se kuvendet do të marrin përgjigje nga KQZ-ja brenda 5 dite.

Mund t’iu konfirmoj se këto kërkesa janë duke u trajtuar dhe brenda afatit 5 ditor do të përgjigjemi. Për këto përgjigje, do të bashkëpunojmë edhe me Agjencinë për Regjistrimin Civil pasi lista votuese buron nga ekstrakti i Regjistrit Qendror Civil”, është shprehur ai.

I pyetur se çfarë do të ndodhë me komunën e Zveçanit, pasi një kërkesë e tillë nuk është dorëzuar në KQZ, Elezi ka sqaruar se nëse eventualisht në KQZ paraqitet ndonjë kërkesë e ngjashme, të njëjtën do ta trajtojnë si rastet tjera.

Hovenieri kërkon zbatimin e udhëzimit administrativ

Çështjen e largimit të kryetarëve të veriut e ka përmendur të mërkurën edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovës, Jeff Hovenier.

Gjatë një vizite në Mitrovicën e Jugut, ai ka bërë me dije se Udhëzimi Administrativ për largimin e kryetarëve të katër komunave veriore duhet të zbatohet.

Kërkesa për zgjedhje erdhi direkt nga BE-ja dhe ShBA-ja. Kosova vendosi një sistem që qytetarët t’i shkarkonin kryetarët nëse do të vendosnin për këtë dhe ne e pamë këtë si një hap të rëndësishme për deeskalim të situatës në veri të Kosovës. ShBA-ja ka qenë e qartë që derisa besojmë që katër kryetarët janë zgjedhur në mënyrë ligjore, askush nuk duhet të gëzohet me një zgjedhje me përqindje të vogël... qartë këta kryetarë nuk përfaqësojnë të gjithë ata që u shërbejnë”, ka thënë ai.

Ambasadori amerikan ka thënë se Kushtetuta e Kosovës ia lejon secilit qytetar të drejtën e votës.

Qeveria e Kosovës iu përgjigj kësaj, dhe vendosën një strukturë përmes së cilës qytetarët do të mund të merrnin disa hapa, një proces për të tërhequr zyrtarët. Të gjithë zyrtarët në Kosovë, në secilin nivel, duhet të bëjnë gjithçka që munden të ndërmjetësojnë implementimin e plotë këtë udhëzim administrative. Duhet të dalin nga rruga e tyre që të sigurojnë që qytetarët mund të realizojnë të drejtat e tyre demokratike. Kushtetua e ka lejuar këtë, është proces që ndodhë për herë të parë, është normale që të ketë konfuzion”, ka thënë diplomati amerikan.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera duhet të jenë fleksibuile që qytetarët serbë në atë pjesë t`i realizojnë të drejtat e tyre.

Ne presim plotësisht nga Qeveria dhe të gjithë zyrtarët që të bëjnë gjithçka, të jenë sa më fleksibil, që qytetarët ta ushtrojnë këtë të drejtë demokratike. Ne jemi shumë të shqetësuar nëse dikush nuk tregon kuptim për këtë”, ka thënë ai.

Çka parasheh udhëzimi administrativ?

Udhëzimi administrativ për largimin e kryetarëve të komunave, i cili është nxjerr nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, përcakton disa hapa deri të largimi i kryetarëve.

Sipas udhëzimit, inicimi i kërkesës niset nga së paku tre qytetarë me të drejtë vote në atë komunë, të cilët duhet të themelojnë një grup nismëtar.

Ky grupi nismëtar pastaj njofton zyrtarisht kryesuesin e kuvendit komunal, i cili brenda pesë ditëve atyre duhet t’u kthehet përgjigje.

Pas pranimit të kërkesës, kryesuesit e kuvendeve komunale njoftojnë kryetarin e komunës përkatëse, MAPL-në dhe KQZ-në.

Këto institucione më pas komunikojnë mes tyre për të krijuar kushtet që ua mundëson qytetarëve këtë nismë.

Kërkesa e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni duhet të nënshkruhet nga të paktën 20% e votuesve.

Lajme të ngjashme