Australia tërhoqi njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit, Kurti i kishte premtuar Turqisë shqyrtimin e vendimit
Australia tashmë ka tërhequr njohjen e Jerusalemit Perëndimor si kryeqytet të Izraelit në një vendim që pritet të ketë rëndësi të madhe në zhvillimet e ardhshme në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por, cili është pozicioni i Kosovës dhe veçanërisht Kurtit për këtë çështje?
Australia kishte marrë vendim për njohjen e Jerusalemit Perëndimor si kryeqytet të Izraelit në vitin 2018, në një vendim që ishte komentuar shumë.
Por, vendimi i ri është bërë në mënyrë të heshtur, siç shkruan The Guardian.
Statusi i Jerusalemit është një prej çështjeve më të ndjeshme në konfliktin e vjetër mes izraelitëve dhe palestinezëve. Të dyja palët e konsiderojnë qytetin historik si kryeqytet të tyre.
Ishte presidenti amerikan Donald J. Trump ai që kishte ndërmarrë një politikë të re në lidhje me çështjen.
Më 6 dhjetor të vitit 2017, ai kishte njoftuar se ShBA-të po e njihnin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe kishte urdhëruar zhvendosjen e ambasadës nga Tel Avivi në Jerusalem. Bashkimi Evropian dhe të tjerë partnerë të rëndësishëm të ShBA-ve e kishin kritikuar vendimin dhe nuk kishi ndërmarrë një hap të njëjtë.
Pak shtete prej atëhere kanë vendosur që të njohin Jerusalemin si kryeqytet e të zhvendosin ambasadën nga Tel Avivi.
Por, megjithatë politika amerikane nuk u kthye mbrapsht as pas humbjes së zgjedhjeve nga Donald Trump ndaj demokratit Joe Biden.
Kosova dhe Kurti
Nën Qeverinë Hoti, Kosova kishte dhënë zotimin për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet në këmbim të njohjes së Pavarësisë nga Izraeli.
Më 1 shkurt të vitit 2021, Izraeli do ta njihte zyrtarisht Pavarësinë e Kosovës nga Serbia ndërkohë që një muaj më vonë, Kosova do të vendoste ambasadën në Jerusalem.

Prej asaj kohe, Kosova nuk është njohur më nga asnjë shtet tjetër. Por, edhe ‘këmbimi’ në fjalë nuk ka kaluar pa vështirësi.
Kryeministri Kurti kishte mbetur pa qëndrim për një kohë të gjatë, ndërkohë që partia e tij kishte pasur komunikata në të cilat denonconte politikat shtypëse të shtetit hebraik kundrejt popullit palestinez.
“Sado të tmerrshme që janë, sulmet terroriste të organizuara nga fraksione të ndryshme të rezistencës së armatosur palestineze, ato nuk mund të krahasohen me fushatat ushtarake të shfarosjes dhe shpërnguljes të palestinezëve të organizuara nga ushtria dhe policia e Izraelit,” – shkruante kjo parti politike.

Kjo komunikatë ishte denoncuar edhe nga ish emisari i ShBA-ve për dialogun, z. Richard Grenell.
Edhe kryetari aktual i Kuvendit, Glauk Konjufca, fillimisht e kishte cilësuar si “të pamençur” vendosjen e amasadës së Kosovës në Jerusalem.
“...unë konsideroj që nuk ka qenë politikë e mençur e MPJ-së dhe ish kryeministrit të paligjshëm Avdullah Hoti,” - kishte thënë z. Konjufca.
Më pas, ai i kishte tërhequr këto deklarata duke thënë se në asnjë formë nuk duhej të rrezikohej njohja nga shteti izraelit.
Në anën tjetër, qëndrimi i kryeministrit Kurti është edhe më problematik. Njoftimin se Kosova nuk do të ndërronte vendimin për ambasadën në Jerusalem e kishte dhënë Donika Gërvalla, ndërkohë kryeministri kishte qëndruar vazhdimisht i heshtur.
Kurti i kishte premtuar Turqisë shqyrtimin ose jo të vendosjes së ambasadës në Jerusalem, por deri tash nuk dihet nëse një shqyrtim i tillë ka ndodhur dhe nuk dihen rezultatet e këtij shqyrtimi.
Nacionale në vazhdim do të provojë të marrë edhe qëndrimet e deputetëve në lidhje me këtë çështje.