Asociacioni, njohja me Serbinë, javët vendimtare: Kosova merr urime për pavarësi, por edhe mesazhe mes rreshtash
Kosova nesër feston 16 vjetorin e Pavarësisë. Me këtë rast, presidentes së vendit, Vjosa Osmani i kanë arritur shumë letra urimi, duke përfshirë këtu edhe nga liderët e vendeve më të fuqishme në botë. Asociacionin, njohjen me Serbinë, marrëveshjen bazë – çka u kërkua mes rreshtave përmes këtyre urimeve?
Ndër urimet e para, Kosova duket se e ka marrë atë prej aleatit më të fuqishëm të saj, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në letrën e dërguar nga presidenti amerikan, Joe Biden, Kosovës i kërkohet t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e kaluara në kuadër të procesit dialogut me Serbinë.
Veç kësaj, është përmendur edhe njohja reciproke mes dy vendeve:
“Ne gjithashtu vazhdojmë që t’i përkrahim përpjekjet e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – një hap i rëndësishëm drejt njohjes reciproke përfundimtare. Krahas vendeve të tjera të rajonit dhe përreth botës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës inkurajojnë udhëheqësinë e Kosovës të përmbushë të gjitha obligimet e saj, përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi”.
Presidenti gjerman ndërkaq, Frank-Walter Steinmer, në letrën e tij të urimit ka thënë se Kosova gjendet para detyrave të mëdha, si forcimi i sundimit të ligjit dhe luftimi i korrupsionit e krimit të organizuar.
Ai po ashtu ka përmendur zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën ka thënë se është “vendimtare” për të ardhmen e Kosovës.
Në një letër tjetër nuk pati veç urim, por edhe paralajmërim. Këtë e bëri presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili ka përmendur marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit, themelimin e Asociacionit, si dhe organizimin e zgjedhjeve të reja në komunat veriore.
Ai e ka shprehur qartë se javët e ardhshme janë vendimtare për zbatimin e të gjitha çështjeve të lartpërmendura.
“Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për zbatimin e të gjitha dispozitave të marrëveshjes Bruksel-Ohër, duke përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e cila në veçanti përfshin organizimin e zgjedhjeve të reja lokale me pjesëmarrjen e serbëve. Unë shpresoj që Kosova të marrë vendimet e guximshme që janë të nevojshme dhe që do t’i mundësojnë të përparojë në trajektoren e saj evropiane.” – thuhej në këtë letër.
Ndërkohë, urime të tjera Kosova ka marrë edhe nga Shqipëria, Italia, Britania e Madhe dhe Turqia.
Kritikat e ShBA-së
Sjellim ndër mend që aktualisht raportet ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së janë të lënduara, pasi BQK-ja vendosi që përmes Rregullorës së re të ndalojë përdorimin e dinarit serb në territorin e shtetit kosovar. Dje ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, theksoi se raportet në mes Kosovës dhe ShBA-së janë prekur pas vendimit për dinarin serb.
“Jam i shqetësuar që ka deklarata pas kësaj interviste të O’Brien, që sugjerojnë që marrëdhënia mes Kosovoës dhe ShBA-së nuk është prekur dhe se nuk do të prekur nga kjo situatë, më duhet të jem i qartë që kjo thjeshtë nuk është e vërtetë. Kjo nuk është situata.” – tha dje ambasadori Hovenier.
Ditë më parë, James O’brien, nihmës-sekretar amerikan i Shtetit, i shprehi publikisht shqetësimet e tij me Qeverinë Kurti rreth dinarit, duke e quajtur vendimin si “paaftësi qeverisësë”.
“Ai kuptoi shqetësimet, premtoi se do të punonte për to, por qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere…Unë nuk bëj kërcënime të vakëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere” – tha ai.