Ashpërsohen paralajmërimet, KEK – prodhuesve vendor: Dy muaj furnizim të fundit, nëse s’lidhni kontratë s’ka rrymë - NACIONALE

Ashpërsohen paralajmërimet, KEK – prodhuesve vendor: Dy muaj furnizim të fundit, nëse s’lidhni kontratë s’ka rrymë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

  • Nuk lidh kontratë, nuk ka furnizim me rrymë.

Të vendosur në mënyrë të detyrueshme në të ashtuquajtur “treg të lirë të energjisë eletrike” plot 1 mijë e 300 biznese, 300 prej tyre prodhues të mëdhenj vendor, gjenden para fa(k)tit të kryer të çmimeve të energjisë eletrike deri në trefish e katërfish. Kjo si rrjedhojë e vendimit të ZRrE-së (lexo: Qeverisë së Kosovës). Mijëra protestues nga këto biznese dje morën rrugët e Prishtinës: prej ndërtesës së Qeverisë e deri te ZRrE-ja. “Prodhimi në rënie”, ishte lajtmotivi i protestës bashkërisht me paralajmërimet se fabrikat po shkojnë drejt falimentimit.

Në krejt këtë hesap qëndron KEK-u si “Furnizues i Mundësisë së Fundit” për dy muaj – me çmime poashtu të bursës së energjisë. ZRrE sot njoftoi se si furnizues të fundit KEK-un e kanë caktuar si furnizues të fundit për gjashtë muaj. Ky vendim i ZRrE-së, megjithatë, nuk u pasqyrua në njoftimi ne fundit për shtyp të KEK-ut.

Dje u tha nga disa përfaqësues biznesesh se në takim me KEK-un kanë pasur deklarim se Korporata Energjetike e Kosovës nuk do t’i shkyq nga furnizimi edhe nëse s’kanë kontrata. KEK-u doli të mohojë kategorikisht.

  • Nuk lidh kontratë, nuk ka furnizim me rrymë.

KEK-u, si Furnizues i Fundit, iu drejtua bizneseve që ose kontratë ose shkyqje. Anipse çdo ditë në komunikata për shtyp flet për “interesim të jashtëzakonshëm” të bizneseve për të nënshkruar kontrata dhe se rrjedhimisht po e shtynë çdo një ditë nga një ditë.

“Në asnjë rrethanë KEK nuk ka deklaruar se ky furnizim do të vazhdojë pavarësisht nëse kontratat si FMF lidhen apo jo. Është theksuar qartë se bëhet fjalë për një obligim të përkohshëm ligjor, dhe jo për ndonjë garanci afatgjate furnizimi”, tha KEK-u në një komunikatë për shtyp dërguar mediave.

Nacionale merr vesh se në fakt, me vetë gojën e tyre, KEK-u u ka kumtuar një gjë të tillë bizneseve prodhuese në një takim të mbajtur ditë më parë. Megjithëkëtë, sot dolën ta mohojnë.

“KEK gjithashtu ka njoftuar përfaqësuesit e bizneseve se, sipas rregullores së ZRRE-së dhe legjislacionit në fuqi, nga data 01.06.2025 ka filluar automatikisht furnizimi me energji për konsumatorët që ende nuk kanë zgjedhur furnizues në tregun e lire dhe te cilet nga kjo date jane shkyqur nga KESCO si FSHU”, thanë ata.

“Gjithashtu, KEK ka kërkuar bashkëpunimin e përfaqësuesve të bizneseve që t’u bëjnë thirrje anëtarëve të tyre për nënshkrimin sa më të shpejtë të kontratave me KEK-un si FMF, në mënyrë që ky proces i rëndësishëm për sektorin energjetik të zhvillohet me sukses, pa ndërprerje dhe në përputhje me kornizën ligjore”.

Në një përgjigje dërguar Nacionales, KEK-u nuk ka treguar se sa nga 1 mijë e 300 kompanitë prodhuese të futura në të ashtuquajturin treg të lirë kanë nënshkruar kontrata me KEK-un, por thanë se kanë bërë “15 kontrata komerciale me konsumatorë që kanë zgjedhur furnizim të drejtpërdrejtë”.

Bizneset prodhuese kanë kërkuar shtyrjen për një vit të këtij vendimi të ZRrE-së për të ashtuquajturin “treg të lirë” që veç i lirë nuk është por rezulton në monopol të pastër me vetëm një ofertues, KESCO-n: me çmime deri në trefish nga ç’i kanë pasur deri sot.

Deri në 265 euro megavat/orën po ua oferton KESCO-ja, duke tejkaluar edhe çmimet e energjisë elektrike të vendeve më të zhvilluara ekonomikisht se Franca e Holanda.

Edhe BE-ja, ku thirret ZRrE-ja, ka kërkuar që liberalizimi i tregut të energjisë elektrke të bëhet “gradualisht” dhe jo thjesht-ashtu.

Lajme të ngjashme