Arrestohen dy persona në Vlorë tentuan të shisnin mina me telekomandë(Video)
Policia e Shqipërisë, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se dy persona janë vënë në pranga nga policia e Vlorës pasi tentuan të shisnin mina me telekomandë për llogari të një grupi kriminal.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Knockout”, u arrestuan shtetasit Bledar Ukshini dhe Ardit Qamluku, pasi që më vete kishin 3 mina me telekomandë, të montuara me lëndë të dyshuar eksplozive plastike C4, të lidhura me aparat celular, për t’u komanduar në distancë
“Pas lokalizimit dhe prangosjes së këtyre shtetasve, në një lokal, në lagjen “28 Nëntori”, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik ndaj tyre, i gjetën 3 mina me telekomandë, të montuara me lëndë të dyshuar eksplozive plastike C4, të lidhura me aparat celular, për t’u komanduar në distancë. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, do t’i shisnin minat, për llogari të një grupi kriminal, kundrejt çmimit 10 000 euro,”- thuhet në raportin e policisë.
Të dyshuarit akuzohen për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, ndërsa lënda është dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.