Arrestimi i Abazit nga Policia e Serbisë: Pse ka kaq frikë? - NACIONALE

Arrestimi i Abazit nga Policia e Serbisë: Pse ka kaq frikë?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia e Serbisë e ka arrestuar një qytetar kosovar me emrin Abaz dhe mbiemrin Beqiraj.

Qytetari në fjalë njoftohet të ketë edhe telashe shëndetësore dhe të jetë i shtyrë në moshë.

“Baba ka qenë për vizitë tek djali. Sot në 8:30 ka qenë në kufi me Hungarinë dhe Serbinë. Ka qenë t’u ardhur me autobus dhe ata na kanë lajmëruar se policia serbe na kanë arrestuar babin”, ka thënë e bija e tij, Melihatja, njofton Klani.

Arrestimi i tij e bëri z. Abaz një figurë publike menjëherë në mediet tona, megjithëse nuk dihet gati asgjë nga biografia e tij.

Ajo që dihet megjithatë është se ai banon në fshatin Baballoq të komunës së Deçanit dhe se është arrestuar për një dënim të marrë nga Policia e Serbisë në vitin 2010.

Deri tash, Serbia ka arrestuar qytetarë nga Kosova të cilët ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kishin urdhër-arreste gjatë apo para kohës së Luftës në Kosovë nga gjykatat jugosllave. Për thuajse secilin prej tyre është dashur përfshirja e politikës që të përshpejtohej apo thjesht edhe që të ndodhte lirimi i tyre.

Sidoqoftë, viti i përmendur për dënimin e marrë nga z. Abaz bën që rasti të mos duket se ka natyrë politike. Ministria e Punëve të Jashtme ka qenë e paqasshme për kontakt pas përpjekjeve nga e motra e Abazit, znj. Melihate Beqiraj.

Por, pse ka kaq shumë frikë?

Policia e Serbisë ka pasur një reputacion shumë negativ në shoqërinë kosovare. Rrahjet, sjelljet arbitrare, poshtërimet, përçmimet e përndjekjet në baza familjare ishin kryer pikërisht nga zyrtarët policorë të uniformuar gjatë viteve ’90.

Kjo ka rritur edhe paragjykimet – në shumë raste të drejta – mbi mënyrën se si Policia e Serbisë mund të sillet në stacionet policore me qytetarët shqiptarë nga Kosova.

Rasti i fundit i arrestimit vjen në kohën e tensioneve të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, sidomos pas deklaratave të pamatura e të papranueshme nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq pas mos-lejimit të mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë.

Nacionalja do t’ju mbajë të informuar më gjerësisht për rastin në fjalë.

Por, edhe në një raport të Komitetit Evropian kundër Torturës që mbante datën 10 mars të vitit 2022, Policia serbe kritikohej për rrahjet që u bënte njerëzve.

"Ka pasur pretendime të shumta, kredibile e konsistente të keq-trajtimit fizik të personave që dërgohen në mbajtje nga zyrtarët policorë," thuhej ndër tjerash në këtë raport ku i kërkohej Serbisë që të ndërmerrte hapat e nevojshëm.

Lajme të ngjashme