Arratisje si në filma nga burgu në Maqedoninë e Veriut
Arratisje spektakolare por me dhjetëra dyshime të ngritura. Nga Burgu i Idrizovës, siç mëson ALSAT, një i dënuar me 40 vjet heqje lirie, është arratisur gjatë dërgimit të tij për në spital. I dënuari për vrasje, 6 vjet më parë, siç mëson ALSAT është nga Tetova, me emrin Bekim Memeti.
Sipas të dhënave, i dënuari i arratisur ka kërkuar të dërgohet në spital, dhe drejtuesit e burgut ia kanë mundësuar një gjë të tillë, por gjatë rrugës, ai rrëmben pistoletë dhe plagos njërin prej shoqëruese, konkretisht shoferin e ambulancës, duke i mundësuar vetes arratisjen, shkruan Alasat.
Ende mbetet e paqartë dinamika dhe rrjeti që e ka ndihmuar Memetin në arratisje, ndihmesa e mundshme që i është dhënë nga persona të tjerë nga jashtë, ndërkohë që hetimet do të shtrihen tashmë edhe në dy pista. Për profile të tilla si Mehmedi, burgu i Idrizovës ka kërkuar gjithnjë ndihmë dhe shoqërim nga njësitë speciale, kjo bëhet thuajse për cilindo të dënuar me mbi 10 vjet burg, por për Memedin burgu nuk ka kërkuar ndihmë. Përveç hetimit të brendshëm nga drejtoria e burgjeve, hetim pritet të ngrejë për përgjegjësi edhe Ministria e Brendshme.
Sipas informacioneve të Alsat, burgu nuk ka pasur dërguar kërkesë pranë MPB-së për ndihmë shoqërimi të të dënuarit, duke ngritur edhe dyshimet për inskenim dhe prapavijë të rastit, shkruan Alsat.mk
Ministria e Brendshme e Maqedonisë, ka reaguar në lidhje me rastin duke dhënë informacione shtesë, e duke premtuar se do të hetohet rasti në tërësi.
“Punonjësit e policisë së burgjeve të cilët ndodheshin në një furgon “Ford Transit” të policisë së burgjeve kanë kërkuar ndihmë nga policët e SPB Shkup, pasi, sipas raportimit të tyre, gjatë shoqërimit të të dënuarit B.M. , nga INP “Idrizovë” në Qendrën Urgjente “Nënë Tereza”, në autostradë, i dënuari ia ka marrë armën shoferit I.H. (punonjës i policisë së burgjeve), ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur I.H.. Më pas i dënuari është arratisur me një automjet pasagjerësh Audi”, thonë nga MPB.