Arben Gashi: Çdo devijim nga procedura e votimit të hapur është antikushtetues
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka rikujtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me mënyrën e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke reaguar pas dështimit të seancës së sotme.
Përmes një postimi në Facebook, Gashi ka theksuar se Kushtetuesja ka sqaruar qartë se votimi duhet të jetë i hapur, në përputhje me rregulloren dhe praktikat e deritanishme parlamentare.
Deputeti i LDK-së ka kritikuar ashpër çdo tentativë për të përcaktuar mënyrën e votimit nga ana e kryesuesit të seancës, duke e cilësuar si veprim arbitrar, të papranueshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
“Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar qartë: zgjedhja e kryetarit/es të Kuvendit bëhet me votim të hapur, sipas rregullores dhe praktikës së deritanishme. Çdo ndryshim i kësaj procedure mund të ndodhë vetëm me mocion të posaçëm, të miratuar nga dy të tretat e deputetëve të pranishëm dhe që marrin pjesë në votim. Çdo përpjekje për të vendosur mënyrën e votimit në mënyrë arbitrare nga kryesuesi i seancës është jo vetëm e papranueshme, por edhe antikushtetuese dhe cenon parimet themelore të demokracisë.” – tha ai.