Analistët shprehen 'për' dhe 'kundër' Fondit të Sigurisë
Nga cenimi i demokracisë dhe shembulli i rezistencës ukrainase, e deri te mundësia e kundërefektit dhe urdhri ekzekutiv i nënshkruar nga presidenti George W. Bush që është ende në fuqi për asistencë ushtarake për Kosovën. Njohësit e çështjeve politike dhe të sigurisë kanë qëndrime të ndryshme sa i përket Fondit të Sigurisë që u themelua nga kryeministri Albin Kurti pas agresionit rus mbi Ukrainën.
Agresioni ushtarak i Rusisë mbi Ukrainën, pa asnjë shkak dhe pa asnjë arsye, para më shumë se një jave, ka ndikuar që siguria të kthehet në prioritetin kryesor për secilin shtet. Duke u gjendur në këtë situatë, edhe Qeveria e Kosovës njoftoi se ka vendosur të themelojë Fondin e Sigurisë, duke ftuar qytetarët e Kosovës dhe mërgatën tonë, por edhe donatorë të tjerë, të kontribuojnë për sigurinë shtetërore të Republikës së Kosovës.
Ky fond gjithsesi ka shumë anë pozitive dhe kryesisht pati përkrahje nga shumë qytetarë nga Kosova dhe nga diaspora, por u shtruan edhe dilema, nëse edhe ky Fond nuk do të keqpërdoret sikurse që dyshohet se u keqpërdorën fondet e periudhës së rezistencës paqësore dhe luftës në Kosovë, por edhe dilema se sa ka mundësi që një fond solidar nga një popullatë kryesisht e varfër (mbi 300 mijë persona jetojnë me ndihma sociale e pensione të vogla në Kosovë) të ketë ndonjë ndihmesë domethënëse për ngritjen e kapaciteteve të sigurisë në vend.
Para së gjithash, duke qenë se siguria e Kosovës ofrohet nga KFOR-i (NATO) dhe duke parë se rezistenca e shtetit ukrainas po ka sukses (deri në momentin që po shkruajmë, të paktën) falë ndihmave të shteteve perëndimore, shtrohet dilema se a është Fondi i Sigurisë formula më e mirë për sigurinë e Kosovës?
Për njohësit e çështjeve politike dhe të sigurisë, akordimi dhe bashkërendimi i të gjithë hapave me SHBA-të është jetik për Kosovën, duke përfshirë edhe ndërtimin e rrjetit të gazit, i cili është investim edhe për sigurinë e vendit.
Në një përgjigje për gazetën Nacionale, ish-ambasadori i Kosovës dhe drejtori i Institutit “KIPRED”, Lulzim Peci, tha se çështja e sigurisë së Kosovës nuk i takon vetëm Republikës së Kosovës, por edhe NATO-s dhe SHBA-ve, duke theksuar se është në fuqi urdhri ekzekutiv presidencial nga viti 2008 për asistencë ushtarake nga Amerika për Kosovën.
“Çështja e sigurisë së Kosovës, nuk është vetëm çështje e vendit tonë, por edhe e hisedarëve kyç, si NATO-s/KFOR-it dhe SHBA-ve. Në anën tjetër, nuk duhet harruar se urdhri ekzekutiv i Presidentit Bush i vitit 2008 për asistencë ushtarake për Kosovën është në fuqi, dhe në rast të rrezikut të sigurisë së vendit tonë, dhe nëse shihet e domosdoshme, ajo mund të përfshijë edhe ndihmën direkte me mjete ushtarake. Në këtë aspekt, partneriteti me SHBA-të mbetet i pazëvendësueshëm, dhe atë nuk mund ta zëvendësojë asnjë fond vendor, pasi SHBA-të e garantojnë sigurinë e Evropës me ombrellën nukleare, si dhe në aspektin konvencional kanë rolin kyç në sigurinë e aleateve të saj në Kontinent, duke përfshirë këtu edhe Ballkanin.”

Drejtori i Institutit KIPRED shtoi se nëse Fondi i Sigurisë nuk është krijuar në pajtim dhe marrëveshje me SHBA-të mund të këtë kundërefektin e asaj se çka synon ky fond.
“Nëse Fondi është krijuar në dakordancë me SHBA-të, atëherë nuk ka vërejtje, pasi ky vendim i bie qe është marrë në bazë të vlerësimit të përbashkët të situatës së sigurisë. Nëse jo, kam frikë se nuk do t’i arrijë rezultatet e pritura, dhe mund të ketë edhe kundërefekt në raportet e vendit tonë me SHBA dhe NATO-n”, - deklaroi ish-ambasadori.
Gjithashtu, ai tha se çështjen e gazsjellësit “TAP” e sheh si çështje që ka të bëjë me sigurinë, dhe e vlerëson ndërtimin e gazsjellësit si të domosdoshëm për Kosovën.
"Çështja e gazsjellësit është po ashtu çështje e sigurisë afatgjate te rajonit dhe Evropës, dhe hallka e Kosovës nuk bën të mungojë në këtë zinxhir. Prandaj mendoj se është e domosdoshme që Qeveria e Kosovës pa asnjë hezitim ta lejojë fillimin e këtij projekti në Kosovë", - përfundoi ai.
Shteti i Kosovës duhet të shfrytëzojë të gjitha mundësitë për të ngritur kapacitetet e garantimit të sigurisë kombëtare
Blerim Latifi, profesor i filozofisë politike në Universitetin e Prishtinës ka një mendim pak më ndryshe.
Ai e sheh më me simpati vendimin e Kurtit për ngritjen e Fondit të Sigurisë.
"Shteti i Kosovës duhet të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që janë në dispozicion për të ngritur dhe bërë efektive kapacitetet e garantimit të sigurisë kombëtare. Shtetet realisht edhe ekzistojnë për një gjë të tillë. Kur flas për të gjitha mundësitë, atëherë kam parasysh edhe investimin në ngritjen e kapaciteteve ushtarake, edhe në mirëmbajtjen e aleancave me shtetet mike, në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra duhet të veprohet në shumë drejtime", - tha Latifi për gazetën Nacionale.

Ai tutje shton se përkrahja e aleatëve sigurohet vetëm pasi të dëshmohet rezistenca, si në rastin e Ukrainës.
"...duhet ta kemi të qartë se përkrahja perëndimore për Ukrainën erdhi vetëm pasi Ukraina dëshmoi fuqi për të rezistuar. Nëse ajo nuk do ta kishte këtë fuqi, atëherë edhe mbështetja perëndimore nuk do të ishte e tillë çfarë jemi duke e parë. Unë e mbështes idenë e Fondit të Sigurisë. Për dy arsye: një, krijohet një mundësi më shumë për ngritjen e kapaciteteve të brendshme ushtarake të Kosovës, dhe dy, përmes kontributeve të kësaj natyre, qytetarët e Kosovës e forcojnë edhe më shumë kulturën patriotike, e cila, siç jemi duke e parë këto ditë në luftën e Ukrainës, është një faktor tejet i rëndësishëm në mbrojtjen praktike të interesave të një kombi", - deklaroi ai.
Por shtetet nuk ndërtohet me lëmoshë, e aq më pak me populizëm…
Sipas ish-deputetes dhe analistes Aida Dërguti, një hapi të tillë është dashur ti paraprijë një debat shoqëror dhe veçmas në Kuvendin e Kosovës, i cili edhe në këtë rast është anashkaluar nga qeveria aktuale.
“Zhvillimet aktuale në Ukrainë janë pasojë e shkurtpamësisë dhe plogështisë së BE-së dhe shteteve anëtare të saj, të cilat kanë përgjegjësi në nivele të ndryshme për politikat e gabuara ndër vite. Sidoqoftë, prioritizimi i sigurisë nga shtetet anëtare të BE-së pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, ndonëse veprim i duhur, shpërfaq panikun pas ngjarjeve. Në një afat kohor kaq të shkurtër nuk mund të bëhet as planifikimi e as menaxhimi si duhet i një situate kaq komplekse e me pasoja të paparashikuara”, - thotë Dërguti, ish-nënkryetare e Kuvendit të Kosovës dhe ish-luftëtare e UÇK-së.
Por, kujt i shkon për shtat një situatë e tillë?
“Kjo situatë do t’u shkojë për shtati qeverive populiste dhe autoritare, të cilave u shërbejnë krizat e tilla për të minuar demokracinë”, – alarmon më tej znj. Dërguti.
“Themelimi i Fondit të Sigurisë është veprim 'ad hoc' dhe jo-shtetëror, që na kujton organizimin e luftës nën okupim. Po ashtu, shmang vëmendjen e opinionit nga përgjegjësia që ka kjo Qeveri për vendimet e gabuara siç ishte rasti me refuzimin e rrjetit të gazit dhe llogaridhënies që do të duhej dhënë në këtë rast. Përveç kësaj, ky veprim populist që ka për qëllim protagonizmin dhe ekskluzivitetin, anashkalon Kuvendin e Kosovës për ta sjellë një vendim të tillë konsensual e demokratik dhe humb rastin për krijimin e unitetit të brendshëm. Shtetet nuk krijojnë ushtri me lëmoshë”, - argumenton Aida Dërguti.

“Modalitetet e financimit do të duhej të diskutoheshin në Kuvend ku besoj se nuk mungojnë idetë. Sidoqoftë, sado që të mblidhen mjete, do të jenë të pamjaftueshme në një përballje eventuale, nëse nuk koordinohemi dhe nuk i vëmë në lëvizje aleancat e krijuara me dekada me në krye SHBA-të, të cilat kanë qenë kontribuese të jashtëzakonshme në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe që vazhdojnë të kenë rol kyç në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vendin tonë. Fatkeqësisht, ka kohë që shohim një izolim të heshtur të Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare për shkak të veprimeve dhe mosveprimeve nga ana e Qeverisë, për të cilat opinioni publik di pak ose aspak si pasojë e mungesës së transparencës. Shpresoj që këto gabime e dështime të Qeverisë të mos u faturohen qytetarëve.” – përfundon ajo.
Kujtojmë se javën e kaluar, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka takuar komandantin e ri të KFOR-it, z. Ferenc Kajar, të cilit i ka uruar detyrën e re dhe i ka shprehur mirënjohjen për rolin dhe rëndësinë e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës.