Amerika, Gjermania, Borrell e Lajçak: Si reaguan ndërkombëtarët për vrasjen e policit në veri? - NACIONALE

Amerika, Gjermania, Borrell e Lajçak: Si reaguan ndërkombëtarët për vrasjen e policit në veri?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Afrim Bunjaku, polic i Kosovës, u vra mëngjesin e sotëm në pjesën veriore të Kosovës. Të shtënat e sulmet vazhdojnë ndërmjet Policisë e grupit të armatosur. Kjo ka nxitur reagime të shumta ndërkombëtare. Nacionale sjell detaje.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës të parët reaguan pas vrasjes së policit të Kosovës në veri. Ambasadori Hovenier ka kërkuar që autorët të dalin menjëherë para drejtësisë. Sipas tij, duhet të ketë koordinim me NATO-n dhe EULEX-in.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë ashpër sulmet e orkestruara, të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës mëngjesin e sotëm të 24 shtatorit. Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Ne e njohim dhe respektojmë rolin e saj si reagues i parë në situata emergjente dhe krize. Ne vlerësojmë koordinimin e vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), sipas rastit”, ka thënë Hovenier.

“Ne po e monitorojmë situatën nga afër dhe i dënojmë këto akte të dhunshme ndaj autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës. Autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të dalin para drejtësisë. Ata duhet të ndalojnë menjëherë sulmet e tyre. Në emër të Shteteve të Bashkuara, shpreh ngushëllimet e mia të thella për vdekjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, i cili u vra në krye të detyrës. Gjithashtu përcjell urimet e mia për shërim të shpejtë për dy oficerët e plagosur”, ka reaguar ambasadori amerikan.

Reagimin e Amerikës e ka mbështetur edhe ambasadori gjerman, Rohde. Ai ka thënë se sulmet e tilla janë të papranueshme.

“Unë pajtohem plotësisht me deklaratën e kolegëve të mi amerikanë. Autorët e këtij sulmi vrasës kundër zyrtarëve të rendit të KOS-it duhet të dalin para drejtësisë.” – ka shkruar ai në rrjetin social “X”.

E reagime pak më të zbehta kanë bërë udhëheqësit e dialogut Kosovë-Serbi. Ata kanë kërkuar që autorët të dalin para drejtësisë, megjithatë nuk kanë folur konkretisht për grupin e armatosur.

“Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjska/Banjskë në veri të Kosovës, i cili la të vdekur një polic dhe dy të plagosur. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Borrell.

Ai ka kërkuar që të zbardhen të gjitha detajet për rastin.

“Më shumë jetë të pafajshme janë në rrezik në armiqësitë e vazhdueshme në rrethinat e Manastirit të Banjskës. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë. EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, është në terren dhe në kontakt të ngushtë me autoritetet dhe KFOR-in. BE-ja dhe shtetet e saj anëtare vazhdimisht u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve që të punojnë për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës”, ka shkruar Borrell.

Reagim ka pasur edhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Çfarëdo forme e dhunshme është absolutisht e papranueshme”, ka shkruar Miroslav Lajçak teksa ka rishpërndarë edhe komunikatën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

“Ngushëllimet e mia të përzemërta për viktimat, familjet dhe kolegët e tyre. Kryerësit duhet të sillen para drejtësisë. Të gjithë duhet t’i kthehen dialogut menjëherë”, ka thënë Miroslav Lajçak.

Në anën tjetër në një konferencë për media kryeministri Kurti ka publikuar edhe pamje të tmerrshme të këtij sulmi, dhe pjesëtarëve të këtij grupi të armatosur.

Lajme të ngjashme