AME raporton pas reshjeve: Kjo është situata nëpër komunat e Kosovës - NACIONALE

AME raporton pas reshjeve: Kjo është situata nëpër komunat e Kosovës

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka raportuar gjendjen e situatës nga ora 22:00 e 10 janarit deri më 08:00 të 11 janarit 2026, pas reshjeve të vazhdueshme të shiut dhe borës që kanë krijuar vërshime dhe vështirësi në qarkullim në disa komuna të Kosovës.

Sipas raportit të AME, në Prishtinë janë shënuar vërshime në rrugën e Qagllavicës dhe në nënkalimet përkatëse, ndërsa shkak i shumicës së rasteve është bllokimi i kanalizimeve. Në Fushë Kosovë, situata ka qenë më e rënduar në fshatrat Lismir dhe Kuzmin, ku rrugët janë bllokuar, ndërsa në Sllatinë e Madhe uji ka dalë për shkak të kanalizimeve të bllokuara.

Obiliqi ka përjetuar vërshime në nënkalimin e Mazgit dhe rrugën pranë pompës “Spahia”, si dhe bllokime të rrugëve Hamedi–Plemetin dhe Obiliq–Palaj. Ndërsa në Drenas, uji ka depërtuar në lokalet e reja dhe oborret e disa shtëpive në Qikatovë e Vjetër. Në Graçanicë, vërshime janë shënuar pranë Prishtina Mall dhe në fshatin Radevë.

Situata më kritike është regjistruar në Mitrovicën e Jugut, ku për shkak të rritjes së nivelit të lumit Sitnica ka pasur rrezik real që uji të dilte nga shtrati, veçanërisht në Lagjen “2 Korriku”. Njësitë operative të AME, NJPZSH dhe Shoqata e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës kanë kryer një operacion parandaluese, duke vendosur rreth 200 metra mur mbrojtës me thasë zalli, i cili përfundoi me sukses. Në operacion janë përfshirë dy automjete të AME-së, dy të NJPZSH-së dhe 15 anëtarë me pesë automjete nga shoqata e shpëtimit.

Në pjesën tjetër të vendit, gjendja ka qenë kryesisht stabile. Peja ka pasur vetëm një intervenim për rrezikim të shtëpive në fshatin Kliqinë, ndërsa Deçani, Klinë, Istogu dhe Juniku raportuan gjendje të qetë. Në Ferizaj dhe Kamenicë janë shënuar disa raste vërshimesh në fshatra të ndryshme, për të cilat janë përdorur pompa aktive. Komunat e tjera të rajoneve të Gjilanit, Hani i Elezit, Shtërpca, Artana, Kllokot, Parteshi dhe Ranillugu nuk raportuan vërshime.

AME ka theksuar se të gjitha strukturat emergjente dhe FSK-ja mbeten në gatishmëri për çdo intervenim të mëtejshëm. Pompat me kapacitet të lartë të KEK-ut funksionojnë normalisht, dhe reshjet e borës në shumicën e komunave kanë ndihmuar në uljen e rrezikut nga vërshimet. Kujdesi për të evakuarit dhe monitorimi i lumit Sitnica vazhdon.

Lajme të ngjashme