Ambasadori amerikan i përgjigjet kritikave të deputetëve gjermanë e britanikë për deklarimet e tij
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, në një intervistë për RTV 21 i është përgjigjur të gjithë atyre që e kritikuan për deklarimet e tij për çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosoëvs për ndalimin e dinarit.
Hovenier ka pasur një përgjigje për ta, teksa ka thënë se ishte më i zëshmi për sulmin në Banjksë.
Pjesë nga intervista e publikuar në RTV21:
RTV21: Ambasador, ka pasur reagime ndaj deklaratave tuaja, veçanërisht nga parlamentarët gjermanë dhe britanikë. Ata i kanë quajtur ato të pabalancuara krahasuar me sjelljen e Serbisë. Përse një veprim i qeverisë për të shtrirë kushtetutshmërinë në tërë territorin dhe në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 siç thotë qeveria e Kosovës, po konsiderohet kaq kundërthënës?
Ambasadori Hovenier: “Më vjen shumë mirë që e ngritët këtë pyetje. Pra, së pari, më lejoni të them se kam respektin më të lartë për përfaqësuesit e zgjedhur në çdo legjislaturë dhe mirëpres shqetësimet e parlamentarëve anembanë globit, të cilët ndajnë interesin tonë për ta parë Kosovën duke përparuar në trajektoren evropiane dhe euroatlantike. Ky është një qëllim i përbashkët që e ndajmë të gjithë. Por ajo mbështetje për trajektoret e Kosovës, për përparimin e Kosovës drejt Evropës, drejt institucioneve euroatlantike, ka qenë gjithmonë e kushtëzuar dhe mbetet e kushtëzuar me zotimet që Kosova i ka marrë në kohën e shpalljes së pavarësisë, se do të jetë një shtet demokratik shumetnik. Ky mbetet vizioni i përbashkët. Kështu që vetëm do të them se nuk jam i sigurt se balancimi është mënyra e duhur për të menduar për këtë çështje. Ka shumë çështje të tjera ku balancimi është ndoshta një mjet i përshtatshëm për t’i shtyrë ato përpara. Por, nuk e di se çfarë do të thotë balancim kur kërkoj nga Qeveria e Kosovës që të jetë më e kujdesshme për të marrë parasysh se si do të ndikojnë politikat që i zgjedh në popullatën e cenueshme, veçanërisht çështjen shumë të ndjeshme të komunitetit etnik serb në Kosovë. Dhe të jetë shumë e kujdesshme në mënyrën se si i zbaton ato politika që të mos i privojë ato nga fondet e nevojshme për arsimin, kujdesin shëndetësor, apo thjesht për jetë. Edhe diçka për çështjen e balancimit. Mendoj se e kuptoj këtë gjë, por vetëm dëshiroj të them se unë jam ambasadori amerikan në Kosovë.”
“Detyra ime është të flas për gjërat që presim që Kosova t’i bëjë, sepse qëllimi ynë është ta shohim vendin duke ecur përpara dhe ndër të tjera, qëllimi ynë është të shohim një zbatim të plotë dhe të tërësishëm të zotimeve që ka marrë Kosova, dhe unë punoj me shumë mund për të shtyrë përpara atë vizion. Por, qeveria amerikane nuk ka qenë e ndrojtur. Nuk më takon mua të flas për Serbinë. Por, ne nuk kemi ngurruar që të flasim për pritjet tona që edhe Serbia të zbatojë në tërësi të gjitha detyrimet që i ka marrë. Ky mbetet qëndrimi ynë. Pra, nuk e ngritët si çështje, por meqenëse disa njerëz janë ankuar për porositë lidhur me Banjskën, më lejoni t’ua përkujtoj se mendoj se ndoshta isha ndër zyrtarët më të zëshëm për atë ngjarje dhe për pritjet e qeverisë amerikane që përgjegjësit për këtë vepër të tmerrshme kriminale të japin llogari. Dhe kjo gjë u theksua sërish nga një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane, Jim O’Brien, Ndihmës-sekretari ynë i Shtetit, hiç më larg se javën e kaluar. Ky mbetet qëndrimi ynë. Personat që e kanë kryer këtë krim duhet të japin llogari. Por kjo në asnjë mënyrë, assesi nuk e mënjanon përgjegjësinë e qeverisë së Kosovës për zbatimin e një vendimi të Bankës Qendrore në mënyrë të tillë që zvogëlojnë sfidat dhe problemet që planet aktuale të zbatimit ua shkaktojnë popullatave të cenueshme.”