Ambasadat në shërbim të vetes dhe partisë, Gërvalla lajmërohet plot ‘helm’ ndaj opozitës
“Abuzues të pamëshirshëm të pushtetit dhe institucioneve publike”.
Edhe një pundit rreptësisht objektiv i ngjarjeve politike, ekonomike dhe diplomatike si Shenoll Muharremi, dha konstatim të tillë në dritën e shfrytëzimit dhe funksionalizimit të ambasadave e konsulatave për fushatë zgjedhore nga Qeveria e Albin Kurtit.
Brendarreshtash gërvallometria e Muharremit është alarm-i-kuq për diplomacinë, por habinë e artikulon vis-a-vis Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
Edhe ashtu për Gërvallën, në dioptrinë e Muharremit, ajo “nuk do të jetë më ministre, me shumë gjasë”; por pikëpyetjet i ka te pushteti.
“Lakmitare ku për disa vota më shumë i tradhëtojnë jo vetëm votuesit por edhe idealet e tyre afatgjate”, u shpreh ai.
“(...) nga Kurti, i cili ishte një nga shpesat kryesore të vendit dhe mori 50% përkrahje, kjo është e papranueshme dhe patolerueshme. Ai mbase do i fitoj disa vota më shumë, por kështu po e humbase fytyrën dhe gjithçka për çka ka qëndruar gjatë”.
Për Muharremin, kjo ka një titull: “Keqpërdorim të Ambasadave për Fushata Politike; Tradhti ndaj Parimeve të Qeverisjes së Mirë”.
Veprimtari shqiptar në Shtete të Bashkuara të Amerikës, Uk Lushi, po ashtu përvishi mëngët në mobesim nga krejt kjo situatë: derisa u bëri thirrje diasporës të mos i lënë politikanët “t’i trajtojnë si dele...për vota”.
“Diaspora shqiptare kudo në botë ka fajin kryesor që lejon të shpërdorohet nga politikanët shqiptarë në vendet tona. Jeton në Diasporë dhe do të merresh me politikë partiake?! Mrekulli! Hypi aeroplanit, anijes, autobusit, makinës apo po deshe dhe biçikletës dhe shko futu në politikë në atdhe”, shkroi ai në Facebook.
“Krejt politikanët që ju mbledhin nëpër takime patetike partiake kanë dertin e tyre, e as tuajin e as të kombit. Mos lejoni trajtimin si dele! Mërgata dhe Diaspora duhet të kontribojnë vetëm për kombin dhe asnjëra parti nuk është kombi i tërë! Edhe një herë: doni angazhim politik partiak, kthehuni në atdhe!”, shkroi mes tjerash Lushi.
Kritikave që plasuan në vend ndaj vendosjes në shërbim partiak të institucioneve të vendit iu përgjigjur me plot helm Ministrja kontraverze e Jashtme, Donika Gërvalla.
Iu kthye kacafytjeve politike me ish-qeveritë se ”kanë përbuzur diasporën” dhe se tash, sipas saj, diaspora shihet “me respekt” (Aha!).
Fjalë prej më të ëmblave e psikologjikisht masazhuese për diasporën, akuza prej më të rëndave opozitës, përbënë shkrimin e ministres.
“Nuk është përmbajtja e takimeve të Kryeministrit ajo që i shqetëson ata që për vite të tëra degraduan jo vetëm diplomacinë e Kosovës, por edhe përçanë, përbuzën dhe përçmuan mërgatën kudo që shkelën”, shkroi ajo.
“Është entuziazmi dhe ngrohtësia me të cilën pritet Kryeministri dhe përfaqësuesit e institucioneve të Republikës nga qytetarët e Kosovës në të gjithë botën, ajo që po iu pengon”.
Helmit të Gërvallës iu përgjigj ish-diplomatja, Vlora Çitaku, e cila tha se “nuk e marr seriozisht” dhe se, jo vetëm ajo, “por kurrëkush”.
“Jeni duke abuzuar. Jeni duke instrumentalizuar institucionet e shtetit, diplomacinë, policinë, AKI-në. Keni me dhanë përgjegjësi”, shkroi ajo në Facebook.
“Më mirë kish me qenë me u marrë me njohjen e Republikës së Kosovës nga ndonjë shtet, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, heqjen e sanksioneve nga ana e BE”, vazhdoi Vlora Çitaku,