Ambasada e ShBA-së ia “mëson” historinë Kurtit: E shfaq Thaçin në videon për Pavarësinë e Kosovës
Reagime të ashpra nëpër rrjete sociale pati gjatë ditës së premte, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti publikoi një video për 16 vjetorin e pavarësisë, por aty nuk ndodheshin asnjë nga protagonistët e 17 shkurtit 2008. Ndryshe ka vepruar Ambasada Amerikane në Kosovë. Në një video të publikuar sot, ata ua mësojnë të tjerëve historinë.
Qysh në fillim të videos, Ambasada Amerikane e shpreh qartë qëndrimin e saj për vite radhazi:
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qëndruar pranë popullit të Kosovës për dekada”.
Në videon e publikuar në Instagram, shihen momente nga shpallja e Pavarësisë, si dhe nga vizita e Hashim Thaçit në Shtëpinë e Bardhë, atë kohë kryeministër.
Ndërkohë, krerët më të lartë amerikanë kanë dalë me urimet e tyre për këtë ditë feste, derisa sot u publikua edhe mesazhi i sekretarit amerikan, Antony Blinken.
“Urime sërish mikut, partnerit dhe aleatit tonë përvjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Ju uroj një vit të qetë dhe të begatë përpara.” – thuhet mes tjerash në këtë letër.
Video e Kurtit
Në videon e postuar në profilin e kryeministrit Kurti në “Facebook”, e cila zgjat 1 minutë dhe disa sekonda, nuk shihet askund momenti i shpalljes se pavarësisë nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, në video është shmangur edhe përfshirja e ish-kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka lexuar deklaratën e pavarësisë së Kosovës.
Derisa ka shmangur momentin më të rëndësishëm të Republikës, ai në video ka përfshirë protestën studentore të vitit 1997, ku kishte marrë pjesë edhe ai.
Përveç vetes, Kurti në video ka përfshirë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të cilës i dëgjohet zëri gjatë një fjalimi.
Video fillon me pamje të komandantit legjendar Adem Jashari, i cili dëgjohet duke thënë se “vetëm një vdekje dhe tjetër nuk ka”.
Më pas, jepet disa sekuenca të filmave vendor, ku shihet edhe uniforma UÇK-së.
Nga mesi i videos shihet Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, shtëpia muze e ish-presidenti Ibrahim Rugova dhe më pas disa bukur të Kosovës. Aty nuk mungojnë as pamje të ushtrisë dhe policisë së Kosovës.
Në pjesën e fundit të videos, shihen Rita Ora, Dual Lipa, xhudistët kosovarë dhe lojtarët e Kosovës.
Çuditërisht, aty shihen edhe momenti i golave të Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakes kundër Serbisë. Madje, dëgjohet edhe komentimi i këtyre golave nga gazetari Andin Lokaj.
Kolonë zanore e videos është kënga e njohur e Sabir Fejzullahut “Mos i leni dritat fikur”, e cila në video interpretohet nga dikush tjetër.