Ambasada amerikane për REL: Vendimi i KQZ-së “minon partneritetin SHBA-Kosovë”
Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos miratuar listën e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe ka nxitur reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, e cila e ka cilësuar këtë vendim si“në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre”.
Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se “çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”.
Më 31 janar, KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor. Gjatë të njëjtës mbledhje u miratuan listat e kandidatëve të të gjitha subjekteve politike, me përjashtim të Listës Serbe.
Nga anëtarët e pranishëm të Komisionit, tre votuan pro miratimit të listës, dy – nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje – votuan kundër, ndërsa pjesa tjetër u përmbajt.
Për pasojë, Lista Serbe më 2 shkurt paraqiti ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke kërkuar shqyrtimin e vendimit të KQZ-së. Tashmë pritet që organi kompetent zgjedhor të vlerësojë nëse refuzimi i listës është në përputhje me ligjin dhe standardet zgjedhore, apo nëse është cenuar e drejta kushtetuese për përfaqësim politik.