Aleanca e re e Osmanit me Kurtin: A po e synon Osmani edhe mandatin e dytë presidencial? - NACIONALE

Aleanca e re e Osmanit me Kurtin: A po e synon Osmani edhe mandatin e dytë presidencial?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dy konferencat e fundit për media të presidentes Vjosa Osmani janë parë si konfirmim i qëndrimeve të VV-së për disa çështje të rëndësishme për vendin. Sulmet ndaj Gjykata Kushtetuese dhe mediave te presidentes Osmani në këto konferenca nuk kanë dalluar asgjë nga ato të VV-së dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti.

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë bërë me dije se qëndrimet e fundit të shefes së shtetit flasin për një aleancë të re në mes të saj dhe kryetarit të VV-së, Albin Kurti.

Sipas tyre, kjo tregon se Osmani po e synon edhe një mandat në Presidencë.

Kështu e ka parë edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Ajo qartë shihet se e synon mandatin e dytë, që është legjitime dhe kërkesën unë e lexova, është gjithçka përveçse tekst juridik. Është komplet implementim i qëndrimit të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes dhe asaj që e tha z.Kurti. Asnjë dallim s’ka. Është me tone kërcënuese, për dallim prej këtyre të tjerëve që thonë se është tradhti, kjo nuk e thotë”, ka thënë ai gjatë një interviste në KTV.

Edhe gazetari Berat Buzhala mendon se Osmani ka arritur një marrëveshje të re me Kurtin.

Sipas tij, kjo marrëveshje flet për bashkëpunimin e ri në zgjedhjet e ardhshme.

“Ka arrti marrëveshje me VV-në që kur t`i skadon mandati me qenë prapë në listë të VV-së në prill. Sepse unë nuk shoh asnjë mundësi që me pas zgjedhje para prillit”, ka thënë Buzhala në emisionin “Pressing”.

Kurse, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka bërë me dije se Osmani është shndërruar në servis të Kurtit.

Sipas tij, ajo përpiqet të gjejë pozicionin e saj politik pas zgjedhjeve të prillit.

Presidentja është një servis i kryeministrit, një kalkulator personal që shikon mundësinë të gjejë veten pas prillit. Nëse e sheh te opozita, do të jetë me opozitën; nëse e sheh te VV-ja, do të jetë me Kurtin,” ka thënë Haradinaj për RTV21.

Çka tha Osmani?

As presidentja Osmani nuk e ka mohuar se synon një mandat të ri si presidente e Kosovës.

Në konferencës e djeshme për media, ajo ka treguar se është e interesuar edhe për një mandat.

Kur është pyetur për këtë çështje, ajo ka thënë se fillimisht do të diskutojë me partitë politike.

Do të ulem e do ta shqyrtoj se çka është në interesin e Republikës së Kosovës. A është në interes të Kosovës, që të jem këtu dhe të flas me të gjitha partitë politike për një mundësi të tillë, në qoftë se donë. Në qoftëse nuk donë, atëherë dal në zgjedhje dhe përballem me zgjedhje. Secili prej nesh ia ofrojmë ofertën tonë qytetarëve të Kosovës. Është vendim i tyre pastaj. Në qoftë se dëshirojnë qytetarët është shumë mirë, në qoftë se nuk dëshirojnë është sërish në rregull. Unë fare nuk e marr afër zemrës. Nuk bahet nami. Politikanët shkojnë e vijnë. Edhe ne do të shkojmë një ditë”, është shprehur Osmani.

Gjithashtu, ajo ka thënë se me kryeministrin në detyrë Albin Kurti asnjëherë nuk ka pasur dallime për çështje të rëndësishme.

“Jo, vetëm këto pesë vite që unë jam presidente zotëri Kurti është kryeministër, por për aq sa njihemi ne kurrë nuk kemi pasur as dallimin më të vogël në atë se Kosova duhet të mbrohet nga Vuçiqi, nga Serbia dhe nga shërbëtorët e tyre në Kosovë. Kurrë nuk është kjo çështja që na ka nda. Ju po keni qef me thënë: ‘Vjosa në një linjë me Kurtin’, po ma mirë kishte me qenë me thënë ‘Kurti në një linjë me Vjosën’”, është shprehur Osmani.

Lajme të ngjashme