Albulena x 32 = Ncuk!
Ekuacioni me asnjë të panjohur nuk kaloi as për të 32'ën herë me radhë: rezultati i saktë kushtetues prej 61 numrash s'po i del Vetëvendosjes me Albulena Haxhiun, që sërish u votua vec me 45 vota. Vetëvendosja vazhdon të ankohet pse matematika nuk po i matematikon në gjënë më elementare në aritmtetikën parlamentare: mazhorancën. Pa shumicë, sot u shënuan fiks dy muaj që nga seanca e parë konstitutive. Asgjë s'ka ndryshuar.
Tashmë janë bërë katër muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve, dhe Kosova ende nuk ka institucione, të dalura nga këto zgjedhje.
Palët janë barrikaduar në qëndrimet e tyre: opozita e refuzon Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, VV-ja nuk tërhiqet nga ky emër.
Theksojmë se në fillim të muajit maj, VV-ja kishte propozuar formimin e një komisioni, i cili do të monitoronte votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit.
Një propozim i tillë ka ardhur pasi kandidatja e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, kishte dështuar gjashë herë rresht që t’i merrte votat e nevojshme.
Çështja e votimit të fshehtë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga AAK-ja, e cila është mbështetur edhe nga PDK-ja dhe LDK-ja.
Seanca për konstituimin e legjislaturës se nëntë ka filluar më 15 prill dhe eri tani janë kaluar vetëm dy pika të agjendës.
Deputetët e kanë votuar raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe janë betuar.
VV-ja nuk e ka ndryshuar emrin e kandidates për kryeparlamentare, edhe pse PDK-së dhe AAK-ja janë shprehur të gatshme të votojnë një kandidatë tjetër për kryetar.
Në anën tjetër, LDK-ja po insiston në Qeverinë e Unitetit Kombëtar.
Me këtë synim, Lumir Abdixhiku prezantoi 15 pika të kësaj qeverie potenciale.
Përkrahje kësaj ideje nuk i ka dhënë as VV-ja, por as PDK-ja. Këta të fundit, insistojnë në qeveri të opozitës.