Albulena Haxhiu përkundër vendimit të gjykatës, vendos të hapë konkurs për noterë
Ministria e Drejtësisë ka vendosur të hapë konkurs të ri për noterë, përkundër vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila iu dha të drejtë kandidatëve të fundit të noterisë, gjatë konkursit kur në postin e ish-ministrit të Drejtësisë ishte Abelard Tahiri. Këtë, nga Ministria e Drejtësisë, e arsyetojnë se po e bëjnë për shkak të vështirësive në shërbime nëpër komuna.
Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë, e kishte anuluar konkursin për noterë përgjatë Qeverisë Kurti I, nën arsyetimin e nepotizmit.
“Në anën tjetër një proces ska pas as transparence dhe unë si ministre nuk mund të shtyjë përpara një proces i cili është përcjellë me parregullsi dhe humbje të besimit dhe një proces nga pjesa dërmuese që kanë kaluar provimin janë militant partie apo familjar të tyre”, pati deklaruar ajo, pasi e kishte kthyer konkursin në pikën zero.
Mirëpo, një vendim i këtillë ishte anuluar nga gjykata e shkallës së parë, duke e parë procesin e Provimit për Noterinë si të ligjshëm dhe të drejtë.
Për çështjen e konkursit të noterëve janë deklaruar së fundmi nga MD-ja, duke thënë se tashmë janë krijuar rrethana të reja që nga vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në anën tjetër, ka akuzuar qeverinë për neglizhencë të këtij procesi dhe u ka bërë thirrje kandidatëve të konkursit të fundit, të cilët kanë plotësuar kushtet, ta padisin ministren Haxhiu.
“Ministria e Drejtësisë ka vendosur ta neglizhojë këtë proces duke i dhënë monopol disa noterëve që të kryejnë punën e noterëve dhe të cilët realisht tashmë ju e dini që më shumë se gjysma e komunave në Republikën e Kosovës kanë mbetur pa noterë. Pra, sot për ta kryer një punë tek noteri duhet të presim me orë të tëra… po ruhet monopoli i disa noterëve dhe ata kanë qarkullim marramendës me mbështetje të Ministrisë së Drejtësisë dhe në anën tjetër ministrja e Drejtësisë po bënë vepër penale duke mos respektuar një vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinë. Prandaj unë mendoj se të gjithë ata kandidatë të cilët i kanë plotësuar kushtet që të jenë noterë në Republikën e Kosovës që kanë aplikuar edhe në konkursin që është hapur edhe në atë kohë sa kam qenë ministër për vendet e lira të noterëve nëpër komunat e Kosovës duhet t’i bëjnë kallëzim penal ministres së Drejtësisë për faktin se ajo nuk e respekton një të drejtë të tyre ligjore dhe kushtetuese”, deklaroi ai.